Gjukanoviç, takim me Topin për thellimin e bashkëpunimit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare. Gjatë takimit, Presidenti Bamir Topi, vlerësoi nivelin aktual shumë të mirë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kreu i shtetit shqiptar, shprehu angazhimin e Shqipërisë për konsolidimin e Malit të Zi në rrugën e forcimit të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane mes dy popujve. Pasi nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Presidenti Topi dhe kryeministri malazez, nënvizuan interesin për thellimin e këtyre marrëdhënieve, ku përparësi merr krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke vënë në dukje se procese të tjera me interes të ndërsjellë janë edhe bashkëpunimet në fushat e arsimit, bujqësisë, sigurisë dhe rendit publik, mbrojtjes, punës dhe çështjeve sociale, infrastrukturës ndërlidhëse turistike dhe telekomunikacionit, nënvizoi se nënshkrimi i projekt-marrëveshjeve në proces, do të nxisnin zhvillimin e mëtejshëm të vendeve tona, për të krijuar një rajon me standarde evropiane. Në mënyrë të veçantë, kryetari i shtetit inkurajoi rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, hartimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, atyre për ruajtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e turizmit bregdetar. “Qytetarët me kombësi shqiptare në rajon dhe në Mal të Zi, i konsiderojmë si urë lidhëse dhe miqësie me vendet fqinjë”, - u shpreh Presidenti Topi. Presidenti Topi vlerësoi lart rolin e Presidentit të Malit të Zi, si dhe vendimin e qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj i kontribuon krijimit të një klime qëndrueshmërie afatgjatë në rajonin ballkanik. Nga ana e tij, Gjukanoviç, shprehu bindjen se bashkëpunimi rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare-ekonomike, do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për të qenë anëtarë me të drejta të plota, si të BE-së, ashtu dhe të NATO-s.Sa i përket vendimit për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se ky vendim ishte i matur dhe konstruktiv dhe i kontribuon paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon.
Topi nis vizitën zyrtare në Turqi
TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi, do të kryejë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme një vizitë zyrtare në Turqi. Ai do të jetë i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Teuta Topi. Në ditën e parë të vizitës, kryetari i shtetit do të takohet me homologun, Abdullah Gyl, me kryeministrin, Taip Erdoan,me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Koksall Toptan, dhe do të marrë pjesë në seancën plenare të Parlamentit turk. Në axhendën e kryetarit të shtetit, përfshihen gjithashtu edhe takime me biznesmenë turq dhe shqiptarë, përfaqësues të dhomave dhe institucioneve me karakter tregtar, autoritete lokale dhe do të zhvillojë një vizitë të veçantë në Universitetin e Bosforit. Në këtë universitet ka studiuar edhe babai i presidentit Topi dhe për këtë arsye vizita do të ketë një karakter të veçantë.