E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Fajin për vizat e ka Ministria e Jashtme

Deputeti i PS-së, Tauland Balla, s’ka akorduar burime të nevojshme njerëzore dhe financiare, që të merren me problemet e aplikantëve

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë dje përgjegjëse Ministrinë e Jashtme për faktin që shqiptarët mbeten më të refuzuarit në dyert e ambasadave. Sipas Ballës, Ministria e Jashtme është edhe institucioni përgjegjës për nivelin e ulët të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian. Bazuar në detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje, ky institucion duhet të kishte ngritur, që më datë 1 janar 2008, një strukturë të posaçme për të verifikuar pretendimet e aplikantëve në rastet e refuzimit të vizave. “Duke iu referuar raportit të publikuar dje nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) rreth nivelit të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian, vërejmë me shqetësim shumë të madh se, kjo marrëveshje, ka një implementim dhe respektim të dobët, për shkak se procedurat vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të pa harmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme të vendeve Shengen në Tiranë,”- tha Balla. Kështu, bazuar në këtë raport, shkalla e refuzimit të vizave për qytetarët shqiptarë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është rreth 14%. Akuzat e deputetit Balla u lidhën pikërisht me Ministrinë e Jashtme, e cila nuk ka akorduar burime të nevojshme njerëzore dhe financiare, që të merren drejtpërsëdrejti me problemet e aplikantëve për viza dhe të ofrojë më tepër mundësi informacioni për të gjitha kategoritë e personave. “Është i domosdoshëm dhe urgjent krijimi i një sistemi të dhënash për 18 kategoritë përfituese (personat bona-fede) nga marrëveshja, pasi është e vështirë për një konsullatë Shengen në Tiranë të vlerësojë realisht se cilat nga Organizatat Jofitimprurëse të regjistruara në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqatat e të përndjekurve politikë, shoqatat e gazetarëve, operatorët turistikë, etj., janë të besueshëm”,- deklaroi Balla. Gjithashtu, deputeti socialist bëri thirrje që qeveria shqiptare të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë dhe kërkoi nga konsullatat e vendeve Shengen në Tiranë, që në respektim të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave dhe të Konventës së Vjenës, të zëvendësojnë linjat e komunikimit përmes numrave me vlerë të shtuar me linja fikse, çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›