BE: Opozita e ka mesazhin tonë - s’ka zgjidhje rruge

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE, baroneshës Ashton, i kujton se pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, pritet veç formaliteti i shpalljes së rezultatit final nga KQZ-ja, ndërkohë që partitë duhet të kujtojnë se problemet zgjidhen sipas ligjit, e se s’ka asnjë mundësi që ato të zgjidhen në rrugë
Bashkimi Evropian kujton edhe njëherë se primare për një demokraci funksionale mbetet respektimi i pavarësisë dhe vendimmarrjes së institucioneve ligjore. Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, baroneshës Catherine Ashton, shprehet gjatë një interviste televizive për mediat shqiptare në Bruksel se tani kur është shprehur Kolegji Zgjedhor për Tiranën, palët politike duhet të ecin përpara, duke vënë interesin kombëtar përpara atij personal-partiak. Ajo thotë se tashmë mbetet detyrë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë rezultatin përfundimtar zgjedhor për Tiranën. Konçijançiç kujton gjithashtu se në një shoqëri demokratike problemet zgjidhen në rrugë ligjore dhe jo në rrugë siç paralajmëron opozita
Kolegji Zgjedhor, që është instanca më e lartë për apelimit gjyqësore për zgjedhjet në Shqipëri mori vendimin lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Cili është reagimi i Komisionit Europian?
Po, ne u njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, Tani është e rëndësishme që të gjitha palët të veprojnë në mënyrë konstruktive, të qetë, për të ecur përpara, duke vënë interesin kombëtar dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë përpara interesave partizane të kufizuara. Lidhur me rezultatin, jemi në pritje të rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe po e ndjekim këtë nga afër.
Brukseli ka thënë vazhdimisht se të dyja palët duhet të respektojnë vendimin e instancave gjyqësore për zgjedhjet si instanca të pavarura. A i mbaheni këtij qëndrimi?
Ajo që mund të them, është që ne kemi insistuar vazhdimisht që i gjithë procesi zgjedhor duhet të zhvillohet sipas rregullave dhe kornizës ligjore. Kjo duhet të respektohet dhe apeli ynë është ende i vlefshëm lidhur me këtë. Ne jemi duke e ndjekur me shumë vëmendje procesin dhe presim dhe raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it. Vështirësitë që janë hasur gjatë procedurave janë të qarta dhe ato duhet të zgjidhen më pas. Por ajo që është e rëndësishme tani është që të shohim rezultatin përfundimtar, një vlerësim përfundimtar. Partitë politike dhe qytetarët e Shqipërisë duhet të tregojnë qetësi dhe në mënyrë konstruktive.
Është serioze për Shqipërinë një kontestim tjetër i zgjedhjeve, ndërkohë që është kaluar vendimi i Komisionit Zgjedhor, Kolegjit Zgjedhor dhe po presim për certifikimin e zgjedhjeve. A është serioze për vendin të shihet se zgjedhjet mund të kontestohen siç ndodhi në 2009?
Rregullat janë bërë në mënyrë të tillë, që lejojnë të gjithë procedurat post-zgjedhore të ankimimit që të vazhdojnë. Kjo është pjesë e një procesi demokratik, që ne nuk e shohim vetëm në Shqipëri , por edhe në vende të tjera. Ajo që është e rëndësishme, që rregullat në fuqi të respektohen dhe që problemet që mund të dalin të zgjidhen brenda kornizës ligjore ekzistuese dhe jo në rrugë. Kjo është ajo për të cilën ne kemi bërë apel edhe në të shkuarën. Mendoj, se një nga gjërat që duhen të bëhen është përmirësimi i sistemit elektoral, që ne e kemi evidentuar edhe para fillimit të zgjedhjeve. Duhet që rekomandimet e OSBE/ODHIR të respektohen tërësisht në mënyrë që të kemi një sistem zgjedhor të plotë dhe tërësisht funksional, por kjo është diçka që Shqipëria duhet të bëjë më pas për veten dhe të ardhmen Europiane të saj.