E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburg, ndërkombëtarët: “Hetim i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit”

Shultz: “Iniciativa e Presidentit Topi, hap serioz dhe i nevojshëm për krizën”
Zyrtarë të lartë nga Strasburgu kanë deklaruar se qeveria shqiptare duhet të bëjë transparencë dhe hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit në vend, për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. Selia rozë bëri të ditur dje se delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar në Strasburg me kryetarin e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Martin Shultz dhe me nënkryetarin e këtij grupi, Johanes Zvoboda. Në këtë takim ata diskutuan situatën ekstremisht të vështirë politike në Shqipëri dhe efektet e mundshme negative të vështirësive aktuale mbi procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë. Kryetari Shultz shprehu shqetësimin e Grupit të tij rreth bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë pas zgjedhjeve parlamentare në vend. Shultz dhe Rama, sipas selisë rozë, kanë rënë dakord që një rrugëdalje për krizën politike aktuale në Shqipëri duhet të gjendet urgjentisht dhe se një bazë e re dialogu konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës duhet të vendoset. Për këtë qëllim u ra dakord që opozita të kthehet në Parlament në të njëjtin moment, pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas bisedimeve, ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se ekspertë ndërkombëtarë duhet të asistojnë komisionin hetimor në përmbushjen e punës së tij dhe duhet gjithashtu të asistojnë në përcaktimin e përmirësimeve të nevojshme të kuadrit zgjedhor. Shultz dhe Rama e konsideruan iniciativën e marrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, si një hap serioz dhe i nevojshëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në vend.
Zvoboda
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të socialistëve, Johanes Zvoboda, gjatë takimit që pati me delegacionin shqiptar të socialistëve, theksoi faktin se opozita duhet të rikthehet në Kuvend, por edhe qeveria duhet të tregohet e hapur për transparencë. “Kishim një takim të frytshëm. Një takim që tenton të shikojë të ardhmen, jo për të shkuarën, por për të ardhmen, në veçanti për të ardhmen e vendit. Mendoj se do të ishte mirë që opozita të rikthehet në Kuvend, dhe ky ka qenë përherë këndvështrimi ynë, por në të njëjtën kohë qeveria duhet të veprojë dhe qeveria duhet të veprojë”, - është shprehur Zvoboda, duke theksuar se “qeveria duhet të thotë: ‘Ne rregull, të kemi transparencë të plotë’. Ne pranojmë që opozita i njeh zgjedhjet. Kjo është e përcaktuar edhe sepse Gjykata e ka thënë këtë tashmë, por në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë e gatshme të tregohet e hapur dhe transparente edhe për kutitë e votimit, sepse kjo do të tregonte kush ka të drejtë për faktin nëse ka pasur disa manipulime apo nuk ka pasur fare manipulime. Sepse ne duam paqe dhe stabilitet dhe vetëm nëse opozita kthehet në Kuvend dhe nëse qeveria pranon të jetë e hapur dhe transparente, mund të kemi dialog frutdhënës në interes të vendit”.
Rama
Kreu i PS-së, nga ana e tij, ka shpjeguar arsyet për bojkotin dhe kërkesat e partisë së tij për një transparencë më të madhe të procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai gjithashtu shpjegoi se partia e tij pranon vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe se nuk është objektivi i partisë së tij ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve. Partia Socialiste, megjithatë, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor me qëllim ushtrimin e një hetimi të plotë për manipulimet e mundshme përgjatë zgjedhjeve të vitit 2009, që mundëson përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen. Rama deklaroi se kur një vendim për një hetim të plotë të jetë marrë, atëherë anëtarët e partisë kryesore të opozitës do të marrin përgjegjësitë e tyre në Parlament dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit europian.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›