BE, Presidenti ka ulur shanset

Rama gjatë takimeve në Bruksel
Kreu i PS, takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian në Bruksel.
Rama: Askush smund tu hedhë hi syve Familjes Europiane.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi takime në Bruksel me përfaqësues të lartë të Mbretërisë së Belgjikës, Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.
Duke komentuar dhe shqetësimin e shprehur nga zyrtarët e lartë në Bruksel rreth situatës politike në Shqipëri, Rama tha se zgjedhja e Presidentit ka ulur shanset e vendit për marrjen e statusit. Ne e dimë shumë mirë që zgjedhja e njëanshme e Presidentit të Republikës ka ulur në mënyrë dramatike shanset e Shqipërisë për ta marrë statusin e kandidatit. Por, vokacioni ynë europian dhe angazhimi ynë i qartë përballë publikut në funksion të interesit kombëtar na imponon që të bëjmë të gjitha përpjekjet. Dhe sot, në të tria takimet, ne përsëri u munduam të jemi avokati i mirë i interesit kombëtar dhe i aspiratës europiane të popullit shqiptar, u shpreh Rama pas takimeve. Për kreun socialist, vendi nuk mund ti afrohet Familjes Europiane nëse nuk garantohen zgjedhjet e ndershme. Është e qartë që ndërkohë që qeveria mundohet të tregojë gishtin teksa gishti tregon hënën, e vërteta kumbon. Nuk mundet Familja Europiane të hedhë një hap drejt nesh, nëse ne nuk hedhim një hap drejt saj duke konfirmuar së paku përmes një flete garancie, siç do ta quaja, një reformë të miratuar konsensualisht zgjedhore, vullnetin për të mos përsëritur historinë e zgjedhjeve të vjedhura dhe për të mos ripërtërirë ciklin e pushteteve që nuk burojnë nga vota e popullit, tha Rama. Për kreun socialist, Shqipëria rrezikon të bëhet ngelëse përsëritëse në rrugën e saj drejt BE-së. Është një histori turpi që rrezikon ta kthejë Shqipërinë në të vetmin vend në historinë e proceseve integruese të ish-vendeve komuniste që kanë ngelur tri herë për vjeshtë dhe po ashtu kërcënon të na lërë në një situatë krejt të papëlqyeshme vitin e ardhshëm, kur çfarëdo që do të mund të bëjmë, vëmendja dhe angazhimi i Familjes Europiane mund të mos jenë të njëjtat. Qoftë për faktin që jemi ngelës recidivë, qoftë për faktin që dinamikat brenda Familjes Europiane janë të tilla që nuk e dimë se si do të jetë gjendja e saj nesër, tha Rama. Për kryesocialistin, që Familja Europiane të ndihmojë Shqipërinë, duhet që politika shqiptare të ndihmojë veten. Ne kuptuam një gjë, që askush nuk mund tu hedhë hi syve Familjes Europiane. Në të tria takimet ishte e qartë që Shqipëria, në rast se kërkon ndihmë, duhet që ti ndihmojë gjithë vendet anëtare, ta ndihmojë Komisionin Europian në mënyrë që ata të vihen në pozitën që të na ndihmojnë. Por, ne, fatkeqësisht, për shkak të një sjelljeje të njohur dhe të vjetër të atyre që duan me çdo kusht të mbajnë pushtetin, nuk po arrijmë dot që ti ndihmojmë miqtë dhe partnerët tanë që ata ta ndihmojnë Shqipërinë, u shpreh Rama.
Kryeministri belg: BE, jo shëtitje në pyll
Kryeministri i Belgjikës, Elio di Rupo, i cili u takua me Edi Ramën, tha se anëtarësimi në BE nuk është gjë e lehtë. Fati i Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe kjo nuk përbën as hijen më të vogël të dyshimit. Por Komisioni Europian ka bërë një analizë shumë të kujdesshme të situatës së brendshme të Shqipërisë dhe vendi duhet të vërë konkretisht në jetë ligjet e tij, si dhe duhet të ndryshojë disa gjëra. Duhet që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të sigurohen nga momenti i parë se në Bashkimin Europian nuk anëtarësohesh njësoj sikur del për të shëtitur në pyll. Ka kushte dhe këto kushte kërkojnë të kesh respekt për të gjitha rregullat themelore, u shpreh Kryeministri belg.
Me Shultz
Kreu socialist Edi Rama u takua dje në Bruksel edhe me drejtorin për Zgjerimin në Komisionin
Europian, Stefano Sanino dhe presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schultz, ku sërish biseda u përqendrua në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Rama iu përgjigj interesit të Presidentit të Parlamentit Europian për tu informuar në lidhje me situatën politike në Shqipëri, dhe njëkohësisht theksoi nevojën për të përmbyllur sa më shpejt reformën zgjedhore dhe atë parlamentare.
ARISTIR LUMEZI