E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me Kisinger: Shqipëria, përparim për integrimin

Topi me Kisinger

Fituesi i çmimit Nobel për Paqen dhe ish-sekretari i Shtetit amerikan, Henri Kisinger, ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e reformave dhe integrimit në Bashkimit Europian. Këtë mesazh ish-sekretarit Kisinger ia ka përcjellë kreu aktual të shtetit, Bamir Topi, gjatë takimit të zhvilluar në Konferencën e katërt Presidenciale në Jerusalem. Presidenti Topi, pasi çmoi lart rolin e rëndësishëm historik në Diplomaci, politikë dhe për paqen botërore të Henri Kisingerit, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe bashkëpunimin e ngushtë e strategjik të dy vendeve aleate e partnere. Topi i shprehu mirënjohjen ish-sekretarit amerikan të Shtetit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të drejtuesve dhe administratës amerikane për kombin dhe çështjen shqiptare, duke e siguruar në të njëjtën kohë se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një aleate besnike dhe e besueshme jo vetëm si anëtare e denjë e NATO-s, por edhe si kontribuuese aktive në aleancën kundër terrorizmit ndërkombëtar në të mirë të paqes dhe demokracisë globale. Nga ana e tij, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Dr. Henri Kisingeri, pasi vlerësoi këtë takim me kreun e shtetit shqiptar, shprehu admirimin për ndryshimet rrënjësore dhe për arritjet e dukshme të vendit tonë në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj, duke bërë të mundur jo vetëm anëtarësimin në NATO, por edhe përparimin në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Europian. Dr. Kisingeri vlerësoi gjithashtu edhe rolin e kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik, dikur aq të trazuar e të karakterizuar nga konflikte ndëretnike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›