Topi: Mali i Zi, hap para në BE, por Shqipëria në NATO
“Shqipërinë dhe Malin e Zi i bashkon e njëjta ëndërr, ajo e anëtarësimit në BE dhe nëse shteti fqinj ka bërë një hap para drejt këtij procesi, Shqipëria është një hap para në NATO”. Kështu u shpreh dje Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në Pallatin Presidencial të Cetinjës në Malin e Zi pas një takimi që pati me Presidentin malazez, Filip Vujanoviç. Kryetari i shtetit së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe delegacioni shqiptar që e shoqëron u pritën me një ceremoni zyrtare të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial në Cetinjë. “Do të vijë dita shumë shpejt dhe ky nuk është një prononcim hipotetik, do të vijë dita shumë shpejt që edhe vendet tona do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të jetojmë në një bashkësi evropiane jashtë çdo lloj kompleksiteti që e ka sjellë edhe e kaluara”, - u shpreh z. Topi. Në konferencë, Presidenti Vujanoviç theksoi marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin me Shqipërinë që po fuqizohet dita-ditës. Presidentët bënë të ditur se diskutuan edhe për nevojën e rritjes së lëvizjes së njerëzve, shkëmbimit të mallrave ku del në pah edhe rëndësia e përmirësimit dhe ndërtimit të lidhjeve infrastrukturore. Topi konfirmoi se miqësia mes dy vendeve tashmë është farkëtuar dhe se tani kanë vetëm një ëndërr të përbashkët, integrimin euroatlantik. “Popujt dhe vendet tona kërkojnë që të jetojnë në paqe dhe në harmoni. Kanë të njëjtën ëndërr – ëndrrën e integrimit euroatlantik. Ne gëzohemi për hapat e rëndësishëm që Mali i Zi ka bërë drejt Bashkimit Evropian. Natyrisht që ndiejmë edhe gëzimin e përfaqësuesve të Malit të Zi për hapat që ka bërë Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO”.