E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe OSBE: Qeveria “Berisha” bëri zgjedhje të lira



Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë drejtime për sa u përket zgjedhjeve të lira të 28 qershorit; qytetarët shqiptarë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim, për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Kjo është përshëndetja adresuar qeverisë “Berisha” dhe zgjedhësve shqiptarë nga misioni i SHBA-së në OSBE, i cili përshëndesin progresin e arritur më 28 qershor. Zyra e shtypit e Kryeministrisë publikoi dje një deklaratë të përfaqësueses së Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, Carol Fuller, e cila përshëndeti qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Sipas Kryeministrisë, në këtë deklaratë bëhet e qartë se Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar. “Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor”, - thuhet në deklaratën e Fuller-it që u publikua dje nga Kryeministria. Sipas kësaj deklarate, nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. “Gjithashtu, - citohet deklarata, - duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë”. “Megjithatë, disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, që patën si synim të çonin përpara. Kjo qe veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë së medias dhe politizimin e aspekteve të votimit. Politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshirë gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe shkelje të vëzhguara gjatë fushatës, minuan besimin publik në procesin zgjedhor”, - thuhet në deklaratën e përbashkët. “Ne, - pohohet më tej, - jemi dakord me ODIHR-in se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë nga angazhimi i të gjitha partive politike për të respektuar gërmën dhe qëllimin e ligjit. “Ne kemi besim se qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në raportin e tij përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike”, - përfundon deklarata e përfaqësueses së OSBE-së.

BE, Borchardt: Gjermania, mbështetje pa rezerva

Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Këtë garanci dha dje ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt. Në deklaratën për shtyp të ambasadës gjermane, bëhet e ditur se anëtarët e BE-së janë shprehur se kërkesa e Shqipërisë për në BE do të shqyrtohet pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare dhe vlerësimit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Duke pasur parasysh se raporti u publikua në kohën kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së ishte duke u zhvilluar, vendet anëtare do të diskutojnë për këtë raport, për t’i hapur rrugë më pas pranimit ose jo të kërkesës. Ambasadori Borchardt bëri dje të ditur se së bashku me anëtarët e tjerë të BE-së janë shprehur se kjo duhet të ndodhë pas përmbylljes së zgjedhjeve parlamentare dhe paraqitjes së një vlerësimi për zgjedhjet nga OSBE/ODIHR-i. Vlerësimi për zgjedhjet u publikua nga ODIHR-i në mbrëmjen e datës 14.09.2009. “Në këtë kohë, Këshilli i fundit i Ministrave të Jashtëm ishte tashmë duke zhvilluar punimet. Tani, ne së bashku me partnerët tanë të BE-së do të diskutojmë për raportin e ODIHR-it dhe më pas do të marrim një vendim lidhur me kërkesën për anëtarësim", - thuhet në deklaratën për shtyp të ambasadës gjermane.

Riemërimi, Menduh Thaçi uron Berishën

Kryetari i Partisë Demokratik Shqiptare, Menduh Thaçi, uroi dje Kryeministrin Sali Berisha për riemërimin e tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe për miratimin e qeverisë së re. Thaçi shkruan: “Zgjedhjet e qershorit në Shqipëri ishin një shembull i mirë se si organizohen zgjedhjet në shoqëritë demokratike dhe se si zbatohen standardet ndërkombëtare. Në vijë të kësaj, më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, t’ju përgëzoj për formimin e qeverisë së re”. Kreu i PDSH-së shprehet i bindur se qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë reformat, duke e anëtarësuar vendin edhe në Bashkimin Evropian. “Jam i bindur se qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë që të realizojë rrugën të cilën Ju e trasuat më herët, duke e bërë Shqipërinë anëtare të barabartë të aleancës më të fuqishme në botë, NATO-s, dhe fuqishëm besoj se në një të ardhme shumë të afërt Shqipëria do të bëhet anëtare e familjes më të madhe evropiane, Unionit Evropian”, - thuhet më tej në mesazhin e Thaçit.

Heqja e vizave, Meta: Në kohën më të shpejtë

Ministri i ri i Jashtëm, Ilir Meta, garanton shqiptarët se do të punojë për të liberalizuar vizat për në BE, duke shprehur besimin se një gjë e tillë do të ndodhë në një kohë sa më të afërt. Z. Meta, në cilësinë e ministrit të Jashtëm, përshëndeti dje raportin për zgjedhjet të OSBE/ODIHR-it dhe ka garantuar se do të bashkëpunojë frytshëm me ndërkombëtarët dhe madje edhe me opozitën për hir të reformave në vend. Sipas Metës, vlerësimet e bëra në raportin final për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nga OSBE-ODIHR, janë reale. Për këtë Meta falënderon ndërkombëtarët dhe premton se do të bashkëpunojë në të ardhmen për të pasur një proces zgjedhor pa asnjë të metë. “Vota e 28 qershorit shpreh ne mënyrë të pakontestueshme vullnetin e popullit. Vlerësojmë, ashtu si raporti final i OSBE-ODIHR-it, se Shqipëria ka përmbushur shumicën e angazhimeve të ndërkombëtarëve dhe ka arritje esenciale në procesin zgjedhor. LSI konfirmon se do të bashkëpunojë në të ardhmen për të përmbushur kërkesat e OSBE-ODIHR-it, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i plotësuar me të gjitha standardet që kërkojnë ndërkombëtarët”. Meta i bëri thirrje PS-së të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, pasi, sipas tij, nuk do t’u mungojë as bashkëpunimi i LSI-së për realizimin e reformave. “Opozita të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive në emër të reformave që duhet të realizojmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›