Berisha, Ashan: Intensifikim ekonomisë turko-shqiptare
Forcimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, Turqisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, do të vazhdojë me përparësi edhe gjatë viteve të ardhshme. Kryeministri Sali Berisha priti dje Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Hasan S. Ashan, me rastin e marrjes së detyrës së tij në Tiranë. Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike ndërmjet dy vendeve dhe qeverive dhe miqësinë e ngushtë e tradicionale që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Ambasadori Ashan i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta e miqësore të Kryeministrit Erdoan dhe vlerësoi se marrëdhëniet politike ndërmjet qeverive e dy vendeve tona janë më se të shkëlqyera. Meritë të veçantë për këtë ka edhe miqësia e ngushtë e Kryeministrit Berisha me Kryeministrin Erdogan, si edhe kontributi i jashtëzakonshëm i Kryeministrit Berisha për të konsoliduar, thelluar e zgjeruar edhe më tej miqësinë e bashkëpunimin me Turqinë dhe popullin mik turk. Në takim u vlerësua zgjerimi i ndjeshëm i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve gjatë katër viteve të fundit, në veçanti e investimeve turke në Shqipëri, të cilat shënuan një rritje nga 130 milionë dollarë në vitin 2005, në 860 milionë dollarë në fund të këtij mandati. Ambasadori Ashan falënderoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për reformat, për krijimin e një klime më të përshtatshme për biznes dhe investime, duke theksuar se sot në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik dhe tregtar rreth 3 mijë investitorë e biznesmenë turq.