GRECO: Shqipëria, e angazhuar në transparencën e partive
Fjalë të mira, por dhe rekomandime të reja kanë ardhur nga Këshilli i Evropës për reformat antikorrupsion në Shqipëri. Grupi i shteteve kundër Korrupsionit në Këshillin e Evropës (GRECO) ka publikuar raportin e 3-të për Shqipërinë dhe në deklaratën e djeshme për shtyp vihej në dukje se angazhimi për transparencë është i dukshëm sidomos në reformën zgjedhore. Duke iu referuar transparencës së financimit të partive, raporti pranon se “Shqipëria është e angazhuar aktualisht në një proces premtues të reformës që synon të korrigjojë nivelin e ulët të transparencës në financimin e partive shqiptare. Por, duhet zhvilluar një mekanizëm i pavarur dhe i fuqishëm për monitorimin e financimit të fushatës zgjedhore dhe fondet e partive në përgjithësi, pasi regjimi aktual nuk ka efekt mbi përgjegjësitë e përbashkëta te institucioneve të ndryshme”. Raporti vlerëson se ekziston një nevojë e qartë për të përputhur ligjin për partitë politike me standardet e Kodit të ri Zgjedhor në lidhje me transparencën, mbikëqyrjen dhe zbatimin. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar të vijojnë përpjekjet e tyre për të krijuar dhe zbatuar një sistem të plotë të transparencës se financimit politik. Për sa i takon dënimit të korrupsionit, GRECO identifikon në raportin e tij se ka boshllëqe në kuadrin ligjor shqiptar që kufizojnë zbatimin e masave kundër ryshfetit nga zyrtarë të huaj apo vendas. Niveli i ulët i sanksioneve për ryshfetet e kryera në sektorin privat, vakumi në lidhje me juridiksionin për shkeljet tregtare dhe ryshfetin e ushtruar jashtë vendit, si dhe zbatimi praktik i kodit penal duhet të rriten. Grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës i ka dërguar Shqipërisë një listë me 12 rekomandime, të cilat duhet të zbatohen deri në fund të vitit 2010.