Pronësia, rikthim te pronari në të gjitha rastet e mundshme
Programi i qeverisë i miratuar nga Kuvendi përmban një reformë të plotë në çështjen e pronësisë, çka do të mbyllte këtë problem plotësisht në katër vitet në vijim. Programi për reformën e pronësisë përmban që nga krijimi i regjistrave dixhitalë, për të shmangur njëherë e mirë mbivendosjet, si dhe kthimin e pronës tek ish-pronarët në të gjitha rastet e mundshme. Çështja e pronësisë zinte një nga prioritetet kryesore në qeverinë “Berisha 2”. Kryeministri Sali Berisha premtoi për ish-pronarët se do të ketë një kthim fizik të pronave të tyre në të gjitha rastet kur kjo është e mundshme. Aktualisht janë mijëra dosje që ndodhen në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që kërkojnë kthim fizik, dhe premtimi i Berishës duket se do t’i japë zgjidhje këtyre mijëra dosjeve. “Qeveria e Integrimit Evropian, si një ndër përparësitë më madhore të saj, do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë”, - tha Berisha në Kuvend gjatë prezantimit të programit. Por nga ana tjetër, shteti do të privatizojë tërësisht asetet që janë në pronësi të tij. “Privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve publike dhe shitja e aksioneve të shtetit, si dhe dhënia me koncesion e shërbimeve publike, përfshirë këtu ato të pronave dhe regjistrimit të pasurive”, - shtoi Kryeministri.
Regjistrimi, nga kompani private
Programi i qeverisë pritet të mbyllë fillimisht një problem të hasur në vite, regjistrimin e pronës. Përfundimisht pronat do të jenë të gjitha të regjistruara në regjistra elektronikë dhe mbi 4 milionë prona të paluajtshme të shqiptarëve do të regjistrohen në formë dixhitale. Ky projekt ka nisur tashmë dhe brenda vitit 2011, siç e premtoi edhe Berisha, s’do të ketë më letër në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një tjetër projekt është edhe dixhitalizimi i arkivës dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe kjo do të bëhet brenda vitit 2010. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka qindra-mijëra dosje, të cilat tashmë do të kalojnë në arkive elektronike. Një tjetër detaj i kësaj reforme është dhënia me koncesion e shërbimit të hipotekës. Brenda vitit 2011, Berisha premtoi se një kompani serioze do të marrë me garë të hapur shërbimin e Zyrave të Regjistrimit. Pra çdo shërbim nga kjo zyrë do të jetë nga një kompani private, e cila do të menaxhojë të gjithë regjistrin e pronave dhe kjo do të thotë më shumë shërbime dhe lehtësi për qytetarët.
Kthimi dhe kompensimi i pronave
Kthimi dhe kompensimi i pronave pritet të marrë një përgjigje të plotë këtë katërvjeçar, sipas programit të qeverisë. Parashikohet një rritje progresive e fondit financiar dhe fizik për të kompensuar ish-pronarët, por pjesa e luanit është një pikë tjetër e kësaj reforme, kthimi fizik. Kreu i qeverisë premtoi se do të kthehen pronat atje ku është e mundshme, çka nënkuptohet mirë që dosjet të marrin përgjigje pozitive. “Rikthim të tyre në të gjitha rastet e mundshme”, - tha Berisha në Kuvend. Nga ana tjetër, ai premtoi mbrjotje totale për investitorët.
Legalizimet dhe ligji 7501
Procesi i legalizimeve do të mbyllet tërësisht brenda vitit tjetër, rreth muajit shtator. Mbi 300 mijë pasuri informale do të marrin tapitë e tyre. Reformë do të ketë edhe në ligjin 7501, pasi do të verifikohen të gjitha titujt e dhëna me këtë ligj, një proces që ka nisur nga të gjitha prefekturat në vend.
Reforma e plotë e pronësisë
1-Përfundimi i regjistrit dixhital të pronave në Shqipëri, brenda vitit 2011;
2-Dixhitalizimi i të gjithë arkivës dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, brenda vitit 2010;
3-Përzgjedhja e një kompanie serioze, me garë të hapur, për regjistrimin e pronave, brenda vitit 2011;
4-Rritja progresive e fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimi i tyre në të gjitha rastet e mundshme;
5-Mbrojtja dhe garancia shtetërore për investitorët dhe investimet në prona, të blera mbi bazën e dokumenteve shtetërore të rregullta të pronësisë;
7-Zgjidhja brenda vitit 2011 të titujve të pronësisë, bazuar në ligjin 7501;
8-Përfundimi i procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010.