E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selitza e Matit e izoluar me 1,5 metra dëborë

MAT - Prej 6 ditësh fshati Selitzë i komunës Komsi në Mat është e izoluar nga dëbora e rënë. Trashësisë prej 1,5 metrash të rënë para një jave, i është shtuar dhë dëbora e re që ka rënë përgjatë natës.

Edhe pse është nisur një fadromë për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës, drejtuesi i mjetit është detyruar të kthehet pa mundur të shkojë në këmbë për atje ku ka lënë fadromën.

"Nuk mund të ecej më tej pasi dëbora dhe orteqet janë të frikshme në atë zonë",- thotë ai. Pos dhjetëra banorëve të mbetur të izoluar totalisht, pa ushqime dhe energji elektrike, ka disa banorë të tjerë që kanë mbetur në qytetin e Matit apo rajone të tjera, pa mundur të shtegtojnë më tej për tek shtëpitë e tyre në këtë fshat.

Njëra prej banoreve të këtij fshati shprehet se prej gjashtë ditësh nuk mund të shkojë tek fëmijët e saj të izoluar, dhe për këtë ka njoftuar autoritetet, por askush nuk po ndihet për të çizoluar fshatin dhe 70 banorët që janë atje pa energji elektrike, pa bukë e ushqime të nevojshme apo sende të tjera jetike.

Iballa, kërkohet helikopter për të sëmurët

SHKODËR - Komuna e Iballës në rrethin e Pukës mbetet ndër komunat më problematike, të cilat

kanë hasur vështirësi për komunikimin si pasojë e bllokimeve nga reshjet e dëborës. Sipas kreut të kësaj komune, Gëzim Vata, situata vazhdon të mbetet problematike, ku më kritik është problemi i transportimit të të sëmurëve në ambientet spitalore.

Sipas Vatës, janë dy të sëmurë që paraqesin probleme pasi në Iballë nuk ka mjek, por vetëm infermierë dhe gjendja e tyre kërkon trajtim spitalor.

"Jemi lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Brendshme për të bërë të mundur transportin me helikopter në rast se gjendja e tyre shëndetësore përkeqësohet, por momentalisht edhe helikopteri e ka të pamundur uljen në Iballë për shkak të kushteve atmosferike.

Kanë ardhur fadromat për të zhbllokuar rrugën, por sapo ajo u mundësua të jetë e lirë me një kalim, ka rënë përsëri dëborë dhe ajo është rizënë",- thekson kryekomunari i Iballës, Gëzim Vata.


Librazhd, dëbora shemb shkollën

LIBRAZHD - Reshjet e shumta të dëborës në rrethin e Librazhdit, përveç bllokimit disaditor të rrugëve dhe dëmtimit të rrjetit elektrik, kanë shkaktuar edhe dëmtime të shkollave në disa komuna.

Në Komunën e Orenjës në fshatin Zdranjsh Vërri shkolla 9-vjeçare ka dalë plotësisht jashtë funksionit dhe procesi mësimor në të është pezulluar. Shkak për të ka qenë sasia e madhe e dëborës së rënë, e cila ka shkatërruar tërësisht çatinë e kësaj shkolle.

Për shkak të amortizimit të trarëve të çatisë, kalbjes së tyre, pesha e madhe e dëborës ka çuar në shembje. Drejtori i Zyrës Arsimore Librazhd, Ferit Hysa, thotë se po punohet për gjetjen e ambienteve të tjera në fshat për të qenë sa më afër nxënësve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›