E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Sequi: Luftoni krimin dhe korrupsionin

Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit përbën një ndër kushtet kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Pak muaj përpara publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadori i KE-së në Tiranë Ettore Sequi ka dhënë porositë e radhës për strukturat shtetërore. I pranishëm në një tryezë me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, ku u njoftua zgjatja e mandatit të misionit europian të asistencës policore PAMECA për herë të tretë, Sequi tha se Shqipëria duhet ta shohë luftën ndaj krimit dhe korrupsionit si një përpjekje të pandalshme në rrugën e zhvillimit. Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, vlerësoi se goditja e kriminalitetit është pjesë e detyrave që Tirana zyrtare duhet të kryejë, deri në muajin nëntor për të marrë statusin e kandidatit. “Ne, tha ambasadori, duam të përmirësohet parandalimi dhe zbulimi në të gjitha nivelet e kriminalitetit. Patrullat policore dhe drejtuesit e tyre në të gjitha nivelet duhen forcuar; po ashtu duhet përmirësuar imazhi publik i tyre. Fitimi i besimit të publikut është po aq i rëndësishëm, sa edhe ndëshkimi kriminelëve. Është e rëndësishme që qytetarët të kenë besim dhe të mbështesin policinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›