Kërkesa e PD-së dhe mandatet e përfunduara të Kushtetueses
TIRANË Një vit më parë, një grup deputetësh demokratë paraqitën para Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e Kushtetutës, në nenet 125 dhe 136 të saj, ku përcaktohen rregullat, procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve në dy gjykatat më të larta në vend. Kërkesa në fjalë kishte si objekt të saj interpretimin e pikës, që ka të bëjë me zbatimin e detyrimit kushtetues, për sa i përket rotacionit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Kushtetutës, përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e anëtarësisë së saj. Demokratët paraqitën kërkesën për interpretim në Kushtetuese dhe nga ana tjetër bllokuan procedurat e dhënies së pëlqimit të gjyqtarëve të rinj nga Kuvendi, deri në momentin e interpretimit të Kushtetutës për këtë çështje. Për pasojë, Kuvendi pezulloi pa afat procedurat për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Nga katër kandidaturat e paraqitura nga Presidenti i Republikës në Kuvend, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Ligjeve, me votat e maxhorancës miratoi vetëm Fatmir Hoxhën, ndërsa rrëzoi tri kandidaturat e tjera të Ardian Lekës, Edlira Jorgaqit dhe Artan Hoxhës. Fatmir Hoxha nuk është votuar ende në Kuvend, ndërkohë që në rast miratimi, ai do të zëvendësojë anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi, mandati i të cilit ka mbaruar me kohë. Mandate të përfunduara kanë edhe tre anëtarët e tjerë të Kushtetueses, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza.