E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Serbia të njohë Kosovën nëse kërkon integrimin

17-06-2011 / Gazeta 55

Teksa Serbia aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, komisioneri për zgjerim Stefan Fyle nga Viena ka apeluar se Beogradi zyrtar duhet së pari të zgjidhë problemet me Kosovën e më pas të plotësojë kriteret e Kopenhagenit, përpara se Komisioni Evropian të japë rekomandimin e tij për t’i dhënë statusin e kandidatit dhe të fillojnë bisedimet e pranimit.
Fyle tha se në muajin korrik priten rezultate konkrete pas raundit të pestë të dialogut Prishtinë-Beograd, i cili pritet të mbahet në fund të muajit qershor.
Përsa i përket aspiratave të Serbisë për t’u bërë vend kandidat për në BE, ai theksoi se kjo mund të ndodhë vetëm nëse zgjidhet çështja e Kosovës.
“Nuk jemi duke folur ende rreth procesit të zgjerimit, jemi duke folur rreth opinionit tonë për Serbinë, po flasim në lidhje me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, po flasim për nevojën që ka ky dialog për të sjellë rezultate konkrete. Kjo nuk mund të quhet thjesht si një çështje e vendeve anëtare apo Brukselit, por për të përmirësuar jetën e njerëzve të cilët jetojnë në atë rajon”- tha ai.
Komisioneri për zgjerim i BE Stefan Fyle i tha medias serbe Tanjug, se nuk ekzistojnë kushte të reja për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së.
Ai përsëriti se ishte e nevojshme për Serbinë që të përmbushë planin e veprimit i miratuar më parë nga qeveria serbe në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit në BE.
Sipas tij, ekziston një mundësi që Serbia të marrë një datë për negociatat e pranimit. Fyle shtoi, se ai nuk mund të garantojë asgjë pasi sipas tij “çdo gjë është në duart e Serbisë”.
Ai tha se Serbia duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagenit, përpara se Komisioni Evropian të japë rekomandimin e tij për t’i dhënë statusin e kandidatit dhe të fillojnë bisedimet e pranimit. “Autoritetet serbe janë të vetëdijshëm për këtë. Ne dialogojmë rregullisht dhe shprehim mbështetje për përparimin e Serbisë. Unë jam i inkurajuar nga progresi i bërë deri tani, ndonëse Serbia nuk ka arritur ende qëllimin, sepse ka ende disa çështje që duhet të zgjidhen, ligje të caktuara që duhet të miratohen. Komisioni Evropian është i vendosur të ndihmojë Serbinë sa më shumë të jetë e mundur për të arritur një pikë që do e lejonte KE-në të japë një rekomandim pozitiv”- shtoi Fyle.
Fyle tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim dhe të gjitha vendet aspirojnë të bëhen anëtarë të BE, duke shtuar se Bashkimi Evropian është i angazhuar për realizimin e qëllimit.
Duke komentuar reformat që Ballkani Perëndimor i ka të nevojshme, ai vuri në dukje reformën gjyqësore dhe shtoi se BE-ja është i bazuar tek sundimi i ligjit.
“Reforma e administratës publike është një gur themel i BE-së pasi dhe qytetarët përfitojnë nga ajo në jetën e përditshme”- shpjegoi në Vjenë komisioneri për zgjerimi në BE Stefan Fyle, pasi u takua me ministrin jashtëm austriak Michael Spindelegger.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›