E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave të BE-së, diskuton për Shqipërinë. Presidenca Hungareze: Politika të mos pengojë integrimin

17-06-2011 / Gazeta 55

Situata post zgjedhore dhe mosmarrëveshjet politike do të jenë ato që do të dominojnë diskutimet për Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që mbahet të hënën në Luksemburg. Pak ditë para kësaj mbledhje, ministri i Jashtëm i Hungarisë, vend që ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Janos Martonyi nuk heziton të thotë se politika e Tiranës do të marrë vërejtje për pengesat që i janë krijuar procesit integrues të Shqipërisë dhe siç pohon ai do të ketë një ndikim edhe në raport-progresin e Komisionit Europian të 12 tetorit. Në këtë kuptim, ai bën thirrje që integrimi europian i vendit të qëndrojë mbi të gjitha interesat. “Unë mendoj se Shqipëria duhet të bëjë më shumë përpjekje që këto vështirësi të brendshme të kapërcehen. Dua të shpresoj se ky është edhe interesi i vendit. Pra, duhen më shumë përpjekje që këto vështirësi, tipike të brendshme, të zgjidhen dhe perspektiva europiane të qëndrojë mbi të gjitha interesat e tjera, qofshin ato partiake, qofshin ato personale. Ne do të diskutojmë për Shqipërinë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave për Punët e Jashtme. Pra, do të ketë një mesazh për të në konkluzionet tona. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet mirë nga të gjithë, në mënyrë që edhe Shqipëria të bëhet “nxënëse e mirë”. Por, në fakt nuk ka këtu nxënës të mirë e të këqij, por vende sovrane që vendosin vetë për fatin e tyre”- tha Martonyi.
Takimi i tretë ndërparlamentar Shqipëri –Parlamenti Europian nuk ishte një sukses, pasi 12 kushtet për integrim nuk u plotësuan për shkak të situatës politike. Megjithatë, nuk munguan thirrjet ndaj politikës shqiptare për të kapërcyer mosmarrëveshjet, dhe konkretisht opozitës që t’i kthehet jetës parlamentare.
Edhe në një mbledhje të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku u diskutua për zgjerimin me Ballkanin, përshirë edhe Shqipërinë.
Në këtë takim, Kroacia u përcoll si një rast pozitiv dhe ndryshe nga Maqedonia, Kosova apo Bosnje-Hercegovina që pengohen nga shtete të veçanta në procesin e integrimit europian, Shqipëria u cilësua si vendi ku forcat e brendshme politike pengojnë shtetin e tyre.

Këshilli i Evropës: Palët të respektojnë vendimet e Kolegjit Zgjedhor

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës ndryshon qëndrim lidhur me realistin politik në Shqipëri në kontekstin e garës për Bashkinë e Tiranës, ndërsa kërkon respektimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Më datë 10 qershor, ende pa u mësuar vendimi i Kolegjit Zgjedhor për numërimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë jo-respektive, Thorbjorn Jagland e konsideroi situatën në Shqipëri si tejet shqetësuese, ndërsa shkruante në letrën drejtuar kryeministrit se institucionet demokratike të vendit tonë, qeverisja e mirë dhe zhvillimin ekonomik janë seriozisht të kërcënuara për shkak të mosmarrëveshjeve për rezultatin e Tiranës.
“Shumë kishin shpresuar se këto zgjedhje do të vendosnin një standard të ri kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj vetë votës, si edhe lidhur me qëndrimin dhe përgjegjësitë e forcave politike dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Këto shpresa u riforcuan nga votimi i qetë dhe i rregullt gjatë ditës së votimit.
Por është për të ardhur keq, se për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Shqipëria tani po ballafaqohet me një situatë, e cila i ka përkeqësuar ndasitë politike dhe mund të kërcënojë përpjekjet për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, qeverisjes së mirë dhe progresit të mëtejshëm ekonomik. Si një mik i Shqipërisë, unë jam i shqetësuar”- shkruante ai.
Ndërsa në letrën e dytë që mban datën 16 qershor, kur edhe kolegji zgjedhor zbardhi arsyetimin e vendimit të tij, Jagland shfaqet vetëm me një apel të forte ndaj forcave politike: detyrimin e palëve të përfshira në proces për respektimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, në mënyrë të veçantë atë për Kolegjin Zgjedhor te Apelit.
Në letrën drejtuar përfaqësueses se përhershme të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Margarita Gega, Jagland shkruan: “Dëshiroj t’i referohem bisedës time të djeshme me ministrin Haxhinasto dhe të ri-përsëris mesazhet kryesore të Letrës time të datës 10 Qershor për Kryeministrin Berisha dhe konkretisht thirrjes për dialog politik, mbi bazën e respektimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike. Sigurisht që referimi ndaj shtetit të së drejtës nënkupton detyrimin e të gjitha palëve të interesuara për të respektuar vendimet e institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim”- vijon ai.
Krahasuar me letrën e mëparshme, drejtuar kryeministrit Berisha zoti Jagland, duket se e sheh jo më aq të zymtë situatën në Shqipëri për shkak të dëshmimit të funksionimit të sistemit zgjedhor deri në shkallën e tij përfundimtare Kolegji Zgjedhor i Apelit.
Më parë, sekretari i përgjithshëm i KiE-së i konsideroi mosmarrëveshjet për garën e Tiranës si kërcënim për funksionin e institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë deri tek progresi ekonomik i mëtejshëm ekonomik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›