SHBA: Procesi zgjedhor i 8 majit po përfundon, Shqipëria të ecë me reformat
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se procesi zgjedhor i 8 majit po shkon drejt përfundimit dhe pas këtij momenti Shqipëria duhet të fokusohet në kuadrin e reformave. Deklarata vjen nga drejtoresha për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të shtetit Jenifer Brush.
Znj.Brush shprehet se Shqipëria duhet të përfundojë procesin e zgjedhjeve lokale të 8 majit në vend dhe të ecë përpara, duke i kujtuar palëve politike se Shqipëria është një vend anëtar i NATO. Brush u shpreh se zgjidhjet për të cilat kanë nevojë problemet në Shqipëri duhet të krijohen në vend, dhe se ato nuk mund të importohen.
Ndërkaq lidhur me 12 kriteret që Shqipëria duhet të plotësojë për anëtarësimin në Bashkimin Europian zyrtarja amerikane theksoi se vendi duhet të punojë në këtë drejtim ndërsa garantoi se SHBA do të vijojë mbështetjen e saj për Shqipërinë. Këto deklarata, Drejtoresha për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jenifer Brush i bëri sot, gjatë një takimi me një grup studentësh të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Tiranë.
...