KQZ shtyn miratimin e projekt-aktit për numërimin e fletëve të votimit në 368 kuti

UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot pasdite, për miratimin e projekt–aktit i cili do t’i hapë rrugë numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e 368 qendrave të votimit në Tiranë. Pas kërkesës së përfaqësuesve ligjorë të PS, KQZ ka vendosur të shtyjë për të shtunën miratimin e projekt – aktit, ndërkohë që u ra dakord për të nisur ditën e hënë në orën 10, numërimin e votave në kutitë problematike. Përfaqësuesit ligjorë të PS në KQZ, deklaruan se duhet më shumë kohë për të parë vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor.
Gjatë orëve të paradites në KQZ, mbërriti vendimi i Kolegjit Zgjedhor i marrë në fillim të kësaj jave, sipas të cilit, ligjërohet hapja e 368 kutive, ku sipas dokumentacionit janë hedhur gabim votat e qytetarëve.
Genci Gjonçaj
I kërkoj KQZ-sw kohën e nevojshme për të shqyrtuar këtë. Projekt akti natyrshëm nuk mund të gjente një kohë më të shkurt. Unë kërkoj që diskutimi për këtë projekt të shtyhet për ditën e nesërme.
Njazi Kosovrasti
Për mua vendimi i Kolegjit është mjaft i qartë lidhur me ato që kërkon nga KQZ-, çka nuk është kaq e vështirë të vendosemi për të organizuar kohë. Po ta kalojmë për nesër humbasim një ditë dhe nuk është mirë. Ta mbyllim sot dhe nesër të fillonim punën do të ishte mirë. Edhe unë tani e mora materialin, por besoj se gjërat janë të qarta edhe në vendimin e Kolegjit.
Ylli Manjani
Është e vërtetë që tani e morëm këtë akt. Ky është një akt përmbajta e të cilit dihet, kërkohet të zbatohet një vendim i Kolegjit. Nuk kam kundërshtim për shtyrje, por do të ishte në interes të analizonim aktin. Të merrnim një propozim nga administrata dhe për të ndihmuar vendimmarrjen tuaj, nëse ka çështje që dalin të kundërshtim ne mund të marrim kohën e duhur. Duhet të shohim cila është formula dhe nëse gjatë këtij propozimi mund ta diskutojmë rast pas rasti. Për diskutime në parim nuk ka nevojë, sepse është thjeshtë zbatim i një urdhërimi të Kolegjit. Do të kërkojmë miratimin nga kolegët e partive që të ecnim pak më shpejt.
Genc Gjonçaj
Ky është një proces që me eksperiencën që kemi, minimalisht do të kryhet pwr disa ditë kohë. Nuk besoj se kërkesa ime është një kërkesë që mund të mos pranohet. Unë e them sepse materiali sapo u vu në dispozicion. Unë po kërkoj kohën ligjore për të diskutuar mendimet tona. Në një shikim të thjeshtw duket që ka nevojë për t’u ri-parë.
Arben Ristani
Për ne nuk ka problem, sepse edhe sikur të miratohej sot puna nesër do vazhdonte. Kështu që puna do nis nesër. E lëmë nesër në 10.