Shemben muret e një shtëpie muze
Ndërkohë, nisur nga ngjarja e ndodhur dhe për të evituar rreziqet për komunitetin, dje në Gjirokastër ka filluar shembja e atyre banesave që paraqesin rrezikshmëri. Ka qenë një iniciativë e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës për të lokalizuar rreziqet që sjellin godinat e braktisura. Një e tillë ishte edhe ajo e Koloit në lagjen "Varrosh", e cila u dogj në fillim të këtij viti. Pjesa e tavanit dhe muret e brendshme të banesës muzeore u shkatërruan nga zjarri, ndërkohë që muret anësorë ishin lënë në mëshirë të fatit, gati për të rënë në kokën e kalimtarëve, apo banorëve pranë saj. Sipas drejtorit të DRMK-së, Spartak Drasa, kjo është një iniciativë që do të vijojë të përqendrohet edhe në banesat e tjera në Gjirokastër, e cila ka për synim të zhdukë rrezikun e shembjes së tyre. "Rasti i tragjedisë së fundit është një shembull që nuk duhet neglizhuar, pasi do të jetë shumë vonë kur të shënohen të tjera viktima", tha Drasa.