E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra përcjell me lot viktimat e tragjedisë

Janë përcjellë dje për në banesën e fundit tri viktimat e shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës. Fillimisht, në orët e paradites është kryer ceremonia mortore e 68-vjeçares Parashqevi Zoto, viktimë e kësaj tragjedie, e cila është gjetur nga forcat e kërkim-shpëtimit nën rrënojat e pallatit rreth orës 10.30 minuta të paradites së të hënës. Në ceremoninë e mortore merrnin pjesë familjarët e viktimës, të afërm, qytetarë të shumtë, si dhe deputetë e përfaqësues të pushtetit vendor. Rreth mesditës është kryer edhe ceremonia mortore e Valbona e Anxhela Dalanit, nënë e bijë. Trupat e tyre u gjetën pardje nën rrënojat e pallatit të shembur. Lot dhe vaj ka qenë panorama e ceremonisë mortore të organizuar dje për varrosjen e trupave të pajeta të Valbona dhe Anxhela Dalanit. Kolona e njerëzve që kanë asistuar në varrimin e viktimave të tragjedisë së paralajmëruar ka qenë e gjatë. Shoqet e klasës së Anxhelës 12-vjeçare kanë lotuar përgjatë gjithë kohës deri në përfundim të ceremonisë mortore. Trupat e pajetë të nënës dhe të bijës janë marrë nga lagjja "Blloku i Furrave", ku kanë qenë në shtëpinë e të atit të Valbonës dhe më pas janë përcjellë me automjet disa kilometra më tutje, për t‘u prehur përjetësisht. Të afërmit e familjes mjaft herë janë prekur, duke iu rënë të fikët dhe përmendur herë pas here nga njerëz të tjerë. Më i trondituri ka qenë Jeton Dalani, i cili mjaft herë ka qarë, duke kërkuar të qëndronte sa më shumë me to para se të varroseshin. Një situatë mjaft e rënduar, e cila është përballuar me vështirësi nga të pranishmit në këtë ceremoni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›