E Diel, 1 Nëntor 2026

Bime: S‘kam imunitet, nuk e lë postin

Kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, pas pjesëmarrjes së tij bashkë me stafin në varrimin e viktimave, ka dalë me një deklaratë personale për mediat. Për herë të parë pas tragjedisë së ndodhur në lagjen "11 Janari", ai është prononcuar dhe gjatë deklaratës ka theksuar se do të jetë në dispozicion të plotë të hetimeve për çështjen. Lidhur me ngjarjen që ai e vlerëson si tragjike dhe zërat që kanë kërkuar dorëheqjen e tij, Bime tha se është në dispozicion të hetimeve dhe se nuk do ta lërë postin përderisa nuk ka imunitet. "Në asnjë mënyrë nuk kam forcë dhe as fuqi të ngjashme me atë të Sali Berishës për të influencuar e bërë presion ndaj prokurorisë për shkak të detyrës.

"Unë nuk jam si Kryeministri Berisha, tha Bime, që fshihet pas imunitetit të tij për t‘u mbrojtur nga hetimi i ngjarjeve të rënda ku është i implikuar. Unë jam thjesht një kryetar bashkie pa asnjë mburojë tjetër nga ligji, përveç respektit për ligjin dhe për respekt të të gjithë atyre që më kanë votuar ose jo, por që në këto çaste të vështira më kanë treguar edhe një herë se çfarë nderi i jashtëzakonshëm është që t‘u shërbesh qytetarëve gjirokastritë". Gjatë deklaratës së tij, kryebashkiaku i Gjirokastrës u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe banorëve që kanë mbetur të pastrehë, duke theksuar se zbardhja e plotë e ngjarjes dhe nxjerrja e përgjegjësive është e domosdoshme për qytetin.

Dorëheqja e kreut të Bashkisë së Gjirokastrës është kërkuar dje nga dega lokale e PD-së dhe ajo e LSI-së. Të parët që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë përfaqësuesit e LSI-së, të cilët kanë shfrytëzuar rastin të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Flamur Bimes nga posti aktual. Kreu i degës së LSI-së në Gjirokastër, Genc Sinoimeri, është shprehur se minimalisht dorëheqja do të ishte një akt morali për zotin Bime, i cili ka përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur, ku humbën jetën tre persona dhe shtëpitë e 16 familjeve. Këto deklarime, Sinoimeri i ka bërë në orët e para të ditës së djeshme, në momentin kur vendosi buqeta me lule në përkujtim të tre viktimave të pafajshme, që humbën jetën mesditën e së dielës së kaluar, një gjest ky që u përshëndet nga banorët e zonës. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e PD-së lokale, të cilët, përmes kryetarit Bexhet Çobani, kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Flamur Bimes nga posti i kreut të Bashkisë së Gjirokastrës. "Nuk është më koha që Bime të qëndrojë në atë post, por të japë dorëheqjen vullnetarisht për të qenë në dispozicion të drejtësisë", është shprehur Çobani. Dhjetëra simpatizantë dhe anëtarë të PD-së në Gjirokastër janë tubuar heshturazi vetëm me parulla në qendër të qytetit, për të kërkuar dorëheqjen e Flamur Bimes. Ndërkohë, reagimi i Bimes për kërkesat e ardhura për dorëheqje, ka mbërritur disa minuta pas tubimit të demokratëve.

Tubimi

PD dhe LSI dalin

në protestë: Bime ik!

Dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër ka organizuar paraditen e djeshme një protestë në Sheshin e Çerçizit, kundrejt përgjegjësve të tragjedisë që shkaktoi tri viktima dhe la pa strehë rreth 14 familje në qytet. Qytetarë gjirokastritë, të mbledhur për të protestuar ndaj përgjegjësve të kësaj ngjarjeje të rëndë, kanë kërkuar largimin nga posti të kreut të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, duke e konsideruar atë si përgjegjësin kryesor të tragjedisë. "Duhet t‘u thuhet stop masakrave të ndërtimeve që shkaktojnë tragjedi të përmasave të tilla", janë shprehur protestuesit. Gjatë protestës, qytetarët kanë kërkuar që të mos luhet më me jetët e tyre dhe t‘u jepet fund ndërtimeve të tilla shkatërruese. Në protestë për të kërkuar dorëheqjen e Flamur Bimes ishin dje edhe aktivistët dhe militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët vendosën tufa me lule në vendin e tragjedisë. Aktivistët e LSI-së, në vendin e shembjes së pallatit në lagjen "11 Janari" bënë një homazh për tri viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërkohë që përfaqësues të kësaj force politike kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në shenjë solidariteti, me të gjithë banorët e këtij pallati, që vuajnë pasojat e rënda që la pas kjo tragjedi. Kreu lokal i LSI-së, Genc Sinoimeri, ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe mbështetje morale për të gjithë personat që kanë mbetur të pastrehë. Pothuajse të gjitha forcat politike në qytet kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave dhe të gjithë personat e prekur nga tragjedia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›