E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet pjesa e mbetur e pallatit

Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, ka urdhëruar dje shembjen e pjesës së mbetur nga pallati pesëkatësh, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun që mund të sillte qëndrimi në këmbë i gërmadhës. Në fakt ishte parashikuar që shembja e ndërtesës që kishte ngelur ende në këmbë të niste pas dy ditësh, pasi të ndërmerrej edhe një studim i terrenit që provokoi rrëshqitjen e dheut. Ndërhyrja në godinën gjysmake ka filluar në orët e para të drekës. Në krye të aksionit për prishjen e godinës kanë qenë specialistët e regjimentit të infrastrukturës nga kryeqyteti, të cilët janë të specializuar për këto lloj ndërhyrjesh. Mjeti që përdorej për evadimin e mbetjeve inerte të shkaktuara nga dëmtimi i kateve të pallatit, filloi të shkatërronte me kujdes katet e sipërme të tij. Në fillim janë hequr depozitat e ujit, të cilat janë hedhur në pjesën e pasme nga lartësia e katit të pestë. Më pas mjeti i rëndë ka filluar heqjen graduale të mureve dhe blloqeve të betonit, duke rënë nga lartësitë sipas kateve. Kur është shkatërruar afro gjysma e pjesës së ngelur nga pallati, specialistët që u morën me këtë punë kanë ndaluar për t‘i vazhduar ato gjatë ditës së nesërme. Në fillim ishte menduar që ndërhyrja për të shkatërruar objektin pesëkatësh të bëhej me anë të eksplozivit, por specialistët e ardhur nga kryeqyteti e përjashtuan këtë mundësi, pasi mund të shkaktonte panik te popullata. "Ndërhyrja mekanike është më e sigurt dhe lejon të punohet në kushte të sigurta, duke shmangur çfarëdo lloj aksidenti të mundshëm", thanë drejtuesit e operacionit të djeshëm. Por, banorët e mbetur pastrehë, pas shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari" në Gjirokastër kanë kundërshtuar vazhdimin e operacioneve për shembjen e dy seksioneve të mbetura në këmbë nga ky objekt, ku ata kanë gjithçka të krijuar e ruajtur në jetën e tyre. Ata kanë kërkuar të nxjerrin nga pjesët e mbetura të shtëpive orenditë dhe sendet me vlerë që kanë shpëtuar, por autoritetet nuk e kanë pranuar këtë kërkesë, pasi afrimi i tyre te ndërtesa ishte me shumë rrezik. Në fillim të operacionit, mes banorëve të pallatit dhe forcave të policisë pati edhe përplasje, pasi disa prej qytetarëve tentuan të kalonin kordonin që shënon zonën e rrezikut. Situata është normalizuar në pak minuta dhe të pastrehëve nuk u ka mbetur veçse të bënin sehir. Shumë prej tyre thanë dje se shteti duhet t‘i dëmshpërblejë për shkatërrimin e pasurisë së tyre. "Nuk mundet të qëndrojmë si konviktorë, por këtij problemi t‘i jepet një herë e mirë rrugëzgjidhje", është shprehur Sokrat Papadhopulli. "Nuk ka kompromis veç dëmshpërblimit deri në një të dëmit që u shkaktua", shprehen njëzëri banorët, të cilët më parë kishin paralajmëruar rrezikun e shembjes së apartamenteve të tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›