E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Shqipëria, kriza e çmimeve po frenon rritjen

 

Në parashikimin e tij, për vitet 2008-2009, Bashkimi Europian jep një pasqyrë të krizës që po godet botën

Frenohet rritja ekonomike, çmimet do të vazhdojnë që të rriten deri në fund të 2009

Shqipëria është një nga kandidatët potencialë për në Bashkimin Europian, por vendi, si pjesa tjetër e rajonit dhe Europës, pritet që të ulë ritmet e rritjes për vitin 2008-2009. Në këtë periudhë, çmimet do të jenë në rritje të vazhdueshme, ndërsa pritet që niveli i papunësisë të mbetet në nivele të larta.

Ekonomia shqiptare është e përfshirë në krizën botërore të çmimeve dhe të ritmeve të ulëta të rritjes. Në raportin e parashikimit të ekonomisë, paraqitur në mbledhjen e pranverës në Bashkimin Europian, të gjitha vendet kandidate potencialisht në këtë organizëm parashikohet që të përfshihen në ngadalësimin e ritmeve të tyre të rritjes ekonomike. Edhe për Shqipërinë niveli më i mirë i rritjes ekonomike që mund të arrihet në periudhën 2008-2009 është 6 për qind, ndërsa do të ketë një nivel të lartë çmimesh dhe nivele të ulëta vendesh të reja pune. Vendi do të vazhdojë që të zgjerojë deficitin korrent duke u bërë kështu një nga faktorët shtesë për ekonominë shqiptare. Vendet potenciale për t'u bërë kandidate të Bashkimit Europian, ku përfshihen Shqipëria, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, do të pësojnë një rënie në ritmet e rritjes ekonomike për vitin 2008. Nga 7 për qind që ishte mesatarja e ritmeve të rritjes ekonomike në vendet që janë potenciale për t'u bërë kandidate të BE-së në vitin 2007, ajo nuk do të arrijë më në këto ritme të paktën deri në vitin 2010. Shkaqet e kësaj situate, sipas ekspertëve të BE-së janë po ato që po shkaktojnë me mijëra të uritur dhe miliona të tjerë drejt varfërisë ekstreme, në të gjithë botën.

***

Në raportin e fundit, të publikuar në mbledhjen e pranverës 2008 nga ana e Bashkimit Europian, është vlerësuar se kriza botërore tashmë është prezente jo vetëm në vendet që presin të marrin statusin e kandidatit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por edhe në ato që janë kandidate. Kështu, Kroacia, ish-republika jugosllave e Maqedonisë dhe Turqia do të kenë zhvillime të vakëta ekonomike gjatë 2 viteve të ardhshëm. Ende nuk dihet se sa do të ndikojë ky përkeqësim i ekonomisë së këtyre vendeve në afatet dhe procedurat e anëtarësimit, por tashmë edhe në këtë raport shihet qartë mbështetja që Bashkimi Europian i ka dhënë Kroacisë, si një nga vendet me të ardhme më të shpejtë në këtë union.

***

Por jo vetëm vendet kandidate dhe ato që po kërkojnë të bëhen kandidate për anëtarësim janë duke kaluar ditë të vështira përsa i përket situatës ekonomike. Edhe vetë vendet e Bashkimit Europian janë duke parashikuar ditë të errëta për të ardhmen e afërt. Kështu, vetëm për vitin 2008 vendet e bllokut do të përballen me një rritje të fortë të çmimeve, që është edhe pasqyra më e prekshme e krizës ekonomike me të cilën po përballet bota. Vetëm në këtë vit, inflacioni mesatar vjetor në vendet e Bashkimit Europian pritet që të rritet nga 2.4 për qind, në 3.6 për qind. Ndërsa rritja ekonomike do të pësojë uljen më të ndjeshme, duke shkuar nga 2.8 për qind që ishte në vitin 2007, në 1.8 për qind në vitin 2008. Sipas ekspertëve, rënia e ndjeshme në ritmet e rritjes nuk është thjesht një çështje e vendeve të BE-së, por ndikimi më i madh i kësaj krize vjen nga "sëmundja" që ka zënë gjigantin që mban emrin Amerikë. Nga ana tjetër, edhe rritja e përditshme e çmimeve të arit të zi dhe të drithërave po ndikojnë në përkeqësimin e situatës. Vendet e reja të punës pritet që të përgjysmohen në vitet 2008-2009 në vendet e BE-së. Nga rreth 7.5 milionë vende të reja punë që u hapën në vitet 2006-2007, parashikimet për vitet 2008-2009 janë vetëm për 3 milionë.

+++

Rreth 40 për qind e shqiptarëve që jetojnë në varfëri u përkasin familjeve të reja, ku mosha nuk i kalon 30 vjeçët

Raporti, zgjerohet harta e varfërisë

Sipas analizave të Bankës Botërore një rritje me rreth 7 për qind e nivelit të çmimeve bazë, rrit me rreth 20 mijë vetë numrin e të papunëve në Shqipëri. Një rritje e tillë çmimesh për një pjesë të madhe të mallrave të shportës, tashmë është kaluar prej kohësh.

Rritja e frikshme e çmimeve në vend po shton jo vetëm listat e faturave të papaguara në dyqane, por në grupin e atyre që janë përfshirë në krizën e ushqimit kanë hyrë kategori të reja, që për një vend njihen edhe si potencialet më të mëdha të zhvillimit. Banka Botërore ka klasifikuar në analizën e saj që po i bën krizës së ushqimit në Shqipëri, se në qendër të vëmendjes të qeverisë duhet të jenë më shumë se kushdo familjet e reja, në grupin e të cilave, sipas studimit të bërë nga ana e Bankës Botërore lokalizohen edhe 40 për qind e të varfërve në të gjithë vendin. Në këshillat e saj që ka dhënë për qeverinë shqiptare, Banka Botërore ka rekomanduar pikërisht që të merren masa të drejtpërdrejta nga ana e qeverisë për të ndihmuar vetëm kategorinë e të varfërve në Shqipëri, por që janë në numër dhe përqindje shumë të lartë. Sipas studimeve të bëra nga BB, për Shqipërinë del se gati 40 për qind e atyre që jetojnë në varfëri ekstreme janë kryesisht familjet e reja, ku kryefamiljari nuk është më i madh se 30 vjeç. Këto familje të reja, që përbëjnë dhe shtresën më të rrezikuar nga kriza e çmimeve, janë të shtrira në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit. Shumica e tyre janë të papunë dhe nuk përfshihen në asnjë mekanizëm kompensues nga ata që qeveria ka premtuar se do të përdorë. Sipas këtij raporti, më shumë se 46 për qind e të varfërve sot në Shqipëri, janë individë të vetëpunësuar dhe kryesisht në bujqësi. Për rrjedhojë ky grup prej 260 mijë personash që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj, mbetet në pjesën dërrmuese jashtë skemës kompensuese të qeverisë.

Bujqësia, e përjashtuar

Por pavarësisht se edhe në këtë raport, si në shumë të tjerë, theksohet se kur flitet për varfëri identifikohen zonat rurale, është pikërisht kjo pjesë e popullsisë që ka nivelin më të lartë të të varfërve në shkallë vendi. Sipas të dhënave të nxjerra nga ana e INSTAT, kjo kategori e popullsisë vlerësohet se është plotësisht e punësuar dhe ata persona që marrin ndihmë sociale në fshat mbeten tepër të pakët. Nga ana e Bankës Botërore kërkohet pikërisht që të jetë kjo pjesë e popullsisë, që të kompensohet nga kriza e çmimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër banka kërkon që kompensimi mos do të jetë masiv, pasi një veprim i tillë do të çonte në një rritje të re çmimesh. "Përsa i përket ndikimit që rritja e çmimeve do të ketë mbi shtresën e varfër të shoqërisë, Banka Botërore po këshillon qeverinë të përmirësojë objektivin e politikave të saj të pagave dhe ndihmave sociale, në mënyrë që ato të mbështesin pikërisht ata që nuk janë në gjendje të përballojnë çmimet",- ka bërë të ditur përfaqësuesja e BB për Shqipërinë, Camille Nuamah. Por, sipas specialistëve të BB, qeveria duhet të jetë e kujdesshme edhe në këtë aspekt, pasi një rritje e shpenzimeve qeveritare në masë do të bënte presion për një rritje të re të çmimeve. "Banka Botërore mendon se ka nevojë serioze për të ndërhyrë në këto politika, në mënyrë që mbështetja të mos jepet për gjithë klasën e mesme në përgjithësi, pasi kjo do të rriste kërkesën dhe, për rrjedhojë, do të çonte në rritjen e inflacionit. Duhet të kushtohet vëmendje që subvencionet që do të jepen për energjinë dhe rritja e pensioneve, që është një pjesë e rëndësishme e zbutjes së varfërisë në Shqipëri, të jepen për të varfrit. "Rritja e çmimeve të ushqimeve në rang botëror, rrezikon arritjet e viteve të fundit në luftën kundër varfërisë dhe kequshqyerjes", njoftoi Banka Botërore, në raportin e saj të fundit. Ndërsa një nga specialistët e ekonomisë së Bankës Botërore, Andrew L.Dabalen deklaroi në Tiranë se, asnjë vend, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk mund t'i shpëtojë rritjes së çmimeve. "Vendi juaj importon pjesën më të madhe të drithit, e për pasojë, nuk mund të shpëtojë nga rritja e çmimeve",- tha Dabalen. Por nga ana e kreut të Financave, Bode, është sqaruar se ekonomia shqiptare është ende e imunizuar nga goditjet e jashtme në ofertë dhe kriza botërore do të ketë efekte minimale. Aktualisht, në Shqipëri mendohet të jenë rreth 575 mijë të varfër, që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj. Por ky numër rrezikohet të rritet si pasojë e krizës së fundit të çmimeve. Banka Botërore ka llogaritur se një rritje prej 5 për qindësh e çmimit të ushqimeve bazë, e shton më 2-3 pikë numrin e të papunëve, ose me afro 17 mijë vetë armatën e të varfërve në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›