Kosovë, kapet sasi e madhe armatimi
Autoritetet e policisë në Prishtinë thonë se kanë kapur një sasi të madhe armatimi dhe municioni, në lindje të Kosovës, që dyshohet se kishte destinacion Maqedoninë, dhe kanë arrestuar katër persona, shtetas të Kosovës. Zyrtarë të policisë thanë se armatimi i kapur përbëhej nga armë të rënda përfshirë edhe armë kundërajrore.
I gjithë armatimi i është dorëzuar forcave paqeruajtëse të NATO-s, që janë përgjegjëse për sigurinë në kufijtë e Kosovës.
Korrespondenti i BBC-s në Prishtinë rikujton se tensionet në kufirin kosovaro-maqedon janë rritur pas kërkesës së shtuar të autoriteteve të Shkupit për të përcaktuar vijën kufitare mes dy vendeve, si kusht për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Një marrëveshje e Beogradit me Maqeodninë e vitit 2001, lë jashtë kontrollit të Kosovës mbi 2500 hektarë tokë të saj, marrëveshje kjo e pranuar nga OKB-ja por e kundërshtuar nga autoritetet e Prishtinës.
Ekipet e Prishtinës dhe të Shkupit kanë filluar punën në përcaktimin e vijës kufitare, sipas një plani të ish-presidentit finlandez Ahtisaari dhe me ndërmjetësim të zyratrëve të NATO-s. BBC