Topi: Në politikë, jo për kolltuk, vetëm si misionar Nishani i ka shanset për ta bërë mirë Presidentin
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi tha sot se nuk ka asnjë kuriozitet për të bërë karrierë politike, dhe nëse do të kthehet në politike, do të kthehet si një misionar.
Topi, këtë mbrëmje është i ftuari i gazetares, Ilva Tare në Ora NeWs, për të bërë bilancin e tij presidencial.
Nëse unë do kthehem, do kthehem si misionar, pa pasur asnjëherë referenca kolltuqesh apo karrigesh. Ua them ne fund të një karriere të gjatë, duke nisur me jetën akademike por edhe në politikë. Deputetë disa herë, ministër, kryetarë grupi në opozitë dhe mazhorancë, President. Unë kam bindje të plotë se rikthimi im në politike do të jetë si një misionar.- tha Topi.
Topi e konsideroi kushtetues procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, ndërsa theksoi se opozita nuk ka asnjë lloj arsye që ta kontestojë.
Ndryshimet kushtetuese u përgatitën nga dy kryetarët e partive kryesore. I tërë ai ndryshim kushtetues, në raund të 4 ose të 5 përcaktonte zgjedhjen me shumicë të thjeshtë. Në këtë pikëmpamje duhet respektuar procesi.
Lidhur me presidentin e zgjedhur, Bujar Nishani, Presidenti në detyrë u shpreh; Unë kam një njohje relativisht të vjetër, 11 vite dhe me Nishanin vazhdimisht kam patur një komunikim korrekt, në disa pozicione, edhe në rolin e Presidentit me ministrin e Drejtësisë. Një figurë që i ka shanset për ta administruar mirë atë pozicion.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dënoi ashpër ndryshime kushtetuese, duke i cilësuar ato si ndryshime që shkuan në në favor të autoritarizmit të dy personave, kryetarit të PD-së, dhe atij të PS-së.
Nga njëra anë ishte një njeri me eksperiencë, dhe nga ana tjetër një amatorizëm politik.- tha ai.