E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Shqipëria të përmbushë detyrimet, më pas liberalizojmë vizat

Këshilli i Ministrave të BE-së: Vlerësojmë reformat e realizuara deri tani. Deklarata e Bashkimit Europian: Shumë të rëndësishme zgjedhjet e lira në 2009-n

Shaban Sulçe

Nuk do të ketë liberalizim të vizave për shqiptarët në rast se qeveria “Berisha” nuk do të zbatojë me përpikëri marrëveshjen e nënshkruar me Komisionin Europian për këtë çështje. Deklarata është bërë dje nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian. Sipas deklaratës zyrtare, Bashkimi Europian kërkon nga qeveria që të përmbushë të gjitha detyrimet, si pasaportat biometrike, sistemi i adresave, kartat e identitetit, menaxhimi i kufijve etj. Sipas BE-së, vetëm pas realizimit të këtyre detyrimeve do të liberalizohen vizat për Shqipërinë. E njëjta gjë duket se vlen edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. “Këshilli shpreh mbështetjen e tij për dialogun për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, sipas linjës të përcaktuar me kritere të qarta dhe realiste. Këshilli i fton vendet në fjalë që të përqendrohen në implementimin e plotë të këtyre kritereve. Këshilli dhe Komisioni do të ndjekin nga afër këtë proces, specifikisht për secilin nga këto vende”, - thuhet në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

Reformat
Pavarësisht kërkesës për përmbushjen e detyrimeve, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka vlerësuar progresin që ka bërë Shqipëria në realizimin e reformave kyçe, nga të cilat varet procesi i integrimit të saj. Në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për vendet e rajonit të Ballkanit, Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për progresin e arritur në realizimin e reformës elektorale, në përmirësimin e klimës së biznesit si dhe të rezultateve të arritura nga qeveria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian nënvizon rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2009, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme për integrimin e vendit. BE-ja ka nënvizuar gjithashtu se respektimi i shtetit ligjor, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pjesë e përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Në raport kërkohet forcimi i kapaciteti administrativ, si një sektor që kërkon reforma të menjëhershme dhe të vendosura. Këshilli i Ministrave ka inkurajuar Shqipërinë që të luajnë një rol pozitiv dhe ndërtues në stabilitetin e rajonit. Bashkimi Europian thekson në raport se është shumë e rëndësishme që në shtetin shqiptar të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009.

Kosova

Në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian zë vend gjithashtu edhe Kosova, hapat dhe reformat e realizuara deri tani në këtë vend dhe reformat që duhet të ndërmerren. Në deklaratë është vlerësuar progresi i arritur në miratimin e ligjeve, megjithatë në të thuhet se ende ka për të bërë përsa i përket forcimit të institucioneve e shtetit juridik si dhe për mbrojtjen e pakicave. “Në Kosovë duhet të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të përmirësohen kushtet e jetesës. Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, për një perspektivë të qartë europiane të rajonit”, - thuhet gjithashtu në këtë deklaratë.

Takime në Bruksel, Pesha informon për Kodin e ri Zgjedhor

Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së dhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, Besjan Pesha, ka zhvilluar një tur takimesh intensive në Bruksel, në kuadër të programit ”P2P” të mbështetur nga Komisioni Europian. Gjatë ditëve të qëndrimit në Bruksel, Pesha është takuar me personalitete të shumta europiane, me disa europarlamentarë dhe drejtues të Këshillit të Bashkimit Europian, të cilët kujdesen për çështjet e zgjerimit të BE-së. Pesha ka takuar, ndër të tjerë, edhe europarlamentaren Doris Pak, zv.kryetarin e Komitetit të Ambientit në Parlamentin Europian z. Magor Sibi, administratorin e Komitetit të Rajoneve, z. Branislav Stanicek, një nga funksionarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Këshillit të Europës për çështjet e zgjerimit dhe dhjetëra europarlamentarë dhe funksionarë të tjerë të rëndësishëm të BE-së. Gjatë këtyre takimeve, sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Pesha, ka informuar rreth situatës politike në Shqipëri duke vënë theksin rreth temës së Kodit të ri Zgjedhor. Ai ka informuar me detaje dhe u ka dorëzuar materialet përkatëse informuese në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe Kodin e ri Zgjedhor. Të gjithë personalitetet europiane kanë vlerësuar informacionin dhe janë shprehur se zgjedhjet e vitit 2009 në Shqipëri janë shumë të rëndësishme, dhe se nëse ato nuk do të ishin të lira dhe të ndershme, kjo do ta linte Shqipërinë mbrapa në procesin e integrimit europian. Ndërkohë, Besjan Pesha është takuar edhe me drejtues të ECOSY – Forumi Rinor i Partisë Socialiste Europiane. Sekretarja e Përgjithshme e këtij forumi, znj. Ana Skrzypek, ka shprehur vlerësimin e saj për aktivitetin e LRI-së.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›