E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e Kurban Bajramit, Meta dhe Ruçi shmangin komentet për debatin për Kodin Zgjedhor



Në festën e Kurban Bajramit politika shmang debatin e kohëve të fundit, që ka të bëjë me hartimin e Kodit Zgjedhor, duke u përqendruar vetëm në dhënien e mesazheve të urmit për të gjithë besimtarët shqiptarë. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, iu shmang komenteve për ftesën për dialog dhe bashkëpunim për Kodin Zgjedhor të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Është koha që të mos flasim, ose të heshtim për sakrifica politike. Sot është koha që të gjithë bashkërisht, pavarësisht nga bindjet politike, të gëzojmë festën e Kurban Bajramit", - tha Ruçi, i cili së bashku me kryetaren e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, ka vizituar dje selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, për t’u shprehur urimet për këtë festë. Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, në urimin e tij për besimtarët iu shmang komenteve për debatin për Kodin Zgjedhor, megjithatë ai theksoi se politika në Shqipëri duhet të jetë e paqme, si feja. “Sot në ditën e Kurban Bajramit, dëshiroj t’i uroj të gjithë besimtarët myslimanë, shqiptarët kudo ku ata jetojnë! Sot është një kohë e mirë dhe mendoj se kjo ditë është një ogur i mirë për ato që vijnë pas kësaj feste. Nuk dua ta ngatërroj fetën sot me politikë dhe me zhvillime konkrete, por besoj se edhe politika duhet të jetë edhe më e paqme, sikurse janë edhe komunitetet e ndryshme fetare në vendin tonë. Personalisht unë pata kënaqësinë të shoh përfaqësues të ndryshëm të besimeve fetare dhe festojnë së bashku, në mënyrë që edhe perspektiva e Shqipërisë për në Europë të jetë edhe më e afërt, dhe paqja dhe begatia të jetë ajo që duhet të triumfojë në zemrat e shqiptarëve, por pa dyshim edhe në jetën e tyre dhe në mirëqenien e tyre”, - tha Meta. Dy ditë më parë kreu i LSI-së, Ilir Meta, i dërgoi një letër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilin e ftonte për një takim për të diskutuar rreth korrigjimeve që i duheshin bërë Kodit të ri Zgjedhor. Por deri dje nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga ana e kreut të selisë rozë në drejtim të kreut të LSI-së.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›