Berisha ndez motorët e fushatës: “Me rininë fitoj mandatin e dytë qeverisës”
Premtimi i Berishës: “Të rinjve do t’u kthej shpresën për të qëndruar në Shqipëri”
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar më së miri simbolikën e 18-vjetorit të Lëvizjes Rinore Studentore për të ndezur motorët e fushatës elektorale, duke u premtuar të rinjve se në mandatin e dytë qeverisës do të kthejë shpresën për ta që të mos e shohin të ardhmen larg Shqipërisë. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në një aktivitet që përkujtonte pikërisht 8 Dhjetorin e vitit 1990, ku mijëra studentë dhe të rinj përmbysën regjimin komunist. 18 vjet më vonë, Berisha e ka festuar këtë datë historike me mijëra të rinj në “Asllan Rusi”, në një takim ku ai ka shpalosur moton e fushatës së tij elektorale “Shqipëria po ndryshon”, ndërkohë që skenografia ka qenë e ngjashme me atë të fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha ka renditur një sërë suksesesh të qeverisjes së tij, ndërkohë që u ka premtuar të rinjve realizimin e aspiratës 18-vjeçare të shqiptarëve, integrimin e plotë dhe përfundimtar në familjen e madhe europiane. “Me ju, ne ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, mandati për rininë e vendit tim, për shndërrimin e plotë të ëndrrave të saj në realitet. Ne do ta fitojmë atë”, - deklaroi Berisha.
8 Dhjetori
Kryeministri Berisha tha se 8 Dhjetori mbetet një datë e shenjtë, mbetet datëlindja e lirive dhe të drejtave të mbarë qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht rinisë së asaj kohe, e cila përmbysi një prej regjimeve më të egra komuniste në Europë. “Më 8 Dhjetor të vitit ’90, unë pashë, ndjeva dhe besova se ideali, aspirata e lirive të mia, po shndërrohet në realitet. Kështuqë nga ajo ditë, për mua, por edhe për çdo shqiptar, rinia dhe liria janë dhe do mbeten sinonime të njëra-tjetrës.
Që nga ajo ditë e bekuar, unë aq sa i besoj lirisë, po aq i besoj rinisë. Që nga ajo ditë e bardhë jam ndier dhe do të ndihem gjithnjë bashkëmoshatar me ju në idealin tonë të lirisë europiane. Sot dhe përgjithmonë, shqiptarët do të nderojnë këtë ditë. Rinia e bëri atë”, - tha kryeministri Berisha. Ai vlerësoi rolin dhe sakrificën e mijëra studentëve shqiptarë dhe veçanërisht të të paharruarit Azem Hajdari. “Më 8 Dhjetor të vitit ‘90, studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye heroin e tyre të pavdekshëm, Azem Hajdarin, në një betejë që do të mbetet legjendë e vërtetë e trimërisë dhe guximit njerëzor, u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër e më barbare të Europës, e gjunjëzuan atë dhe me vrullin e shpirtit të tyre shkallmuan dhe hapën me shpejtësi të rrufeshme për shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë, sollën ndryshimin e madh, big-bengun shqiptar, përmbysën një epokë, ndanë historinë”, - vijoi kryeministri Berisha.
Qeverisja
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha renditi një sërë suksesesh të arritura, sipas tij, gjatë këtyre tre viteve të qeverisjes demokratike. Berisha tha se qeveria e tij përmbysi sistemin e kleptokracisë, rriti mirëqenien në vend, zhvilloi arsimin për të rinjtë. “Këto tre vite, së bashku ne ia dolëm që Shqipërisë së kronikës së zezë europiane gradualisht t’i japim imazhin, pamjen e fytyrës suaj dhe e bëmë që ajo të rendë e sigurt drejt të ardhmes që meriton. Në këto tre vite, në përputhje me zotimet ndaj jush, unë dhe qeveria ime shkollimin e të rinjve, dhuratën më të çmuar që familja dhe shoqëria mund t’i bëjë secilit prej jush, e kemi patur përparësinë e të gjitha përparësive”, - tha Berisha. Ai u premtoi të rinjve se do të zhvillonte punësimin në mënyrë që ata të mos largoheshin nga Shqipëria, por ta ndërtojnë të ardhmen e tyre brenda vendit. “Unë jam këtu që t’ju zotohem sot se derisa të ketë të rinj që largohen nga ky vend, do të bëj gjithçka që ata të punësohen; aftësitë dhe energjitë e tyre t’i përkushtohen Shqipërisë”, - tha kryeministri Berisha.
9 Dhjetor 2008