E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Shqiptarët nuk rrezikojnë heqjen e vizave

14/02/2011  KE do të nis monitorimin e procesit të liberalizimi për vendet e Ballkanit

Monitorimi do të fillojë më 24 shkurt dhe do të përfundojë më 10 qershor

Këshilli Europian do të fillojë këqyrjen afatshkurtër të zbatimit të rregullave për zonën “Shengen” nga vendet e Ballkanit. Më 24 shkurt do të prezantohet para ministrave të Brendshëm të BE-së mekanizimi i këtij monitorimi, ku Shqipëria dhe Bosnja do të jenë jashtë këtij procesi. Mësohet se me anë të këtij monitorimi Komisioni Europian do të njohë vendet anëtare të zonës “Shengen” me mënyrën se si do të funksionojë ky mekanizëm. Bëhet fjalë për të parë nivelin e kërkesave të azilit nga qytetarët Ballkanit në çdo shtet të BE-së, por gjithashtu sa ballkanas kanë shkelur lejeqëndrimin në territorin e BE-së, sa prej tyre kanë tentuar të punojnë në të zezë në shtete të ndryshme anëtare dhe sa agjenci turistike kanë abuzuar me fenomenin. Ndërkohë për Shqipërinë dhe Bosnjën nuk ka sinjale të tilla në këtë drejtim, pasi është ende herët për të nxjerrë konkluzione. Por bëhet e ditur se në shënjestër janë më shumë qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë. Sipas burimeve të BE-së, edhe pse azilkërkuesit e këtyre shteteve kanë ardhur duke u pakësuar, nuk bëhet fjalë për një ulje thelbësore. Kjo pasi në rastin e këtyre shteteve janë një numër i konsiderueshëm përfaqësues të komunitetit rom që kërkojnë azil. “Nëse kërkesat e azilit nga vendet e Ballkanit do të shtoheshin në mënyrë shqetësuese dhe nëse masat e marra nga qeveritë përkatëse nuk do të jenë efikase, atëherë ne mund të parashikojmë pezullimin e vizave për shtetin përkatës”, - janë shprehur burimet e Këshillit të Ministrave. Më së shumti kanë qenë mediet serbe që kanë trajtuar rrezikun e pezullimit të regjimit të vizave për qytetarët serbë. Por sipas Bashkimit Europian, deri tani nuk kemi një situatë alarmi, por pikërisht një situatë emergjence, që do ti vinte shtetet anëtare në lëvizje për të marrë masa. Franca dhe Holanda kanë kërkuar që të ndryshohet procedura e mundësisë së pezullimit të përkohshëm të heqjes së vizave në rast urgjence. Shtetet anëtare do të bëjnë një vlerësim paraprak në fund të marsit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit në BE, ndërkohë që vlerësimi i mirëfilltë do të bëhet më 9 dhe 10 qershor të këtij viti nga Komisioni Europian dhe ministrat e Brendshëm të BE-së. Sipas kësaj iniciative, nëse ka abuzime të lëvizjes së lirë nga një shtet i Ballkanit, këtij shteti mund ti pezullohet regjimi i heqjes së vizave përkohësisht.

Liberalizimi

Procesi i liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve “Shengen” nuk është vetëm një vendim me të drejta, por dhe me detyrime të shumta. Tashmë vendimi është bërë fakt nga ana e ministrave të Brendshëm të BE-së, ku Parlamenti Europian ka miratuar më 7 tetor raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, i cili hyri në fuqi më 15 dhjetorin e vitit të kaluar.

Rregullat

Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë vizë për të qëndruar në vendet e zonës “Shengen” (me përjashtim të Britanisë së Madhe, Irlandës, Zvicrës, Norvegjisë dhe Islandës) për një periudhë të shkurtër kohe, dhe vetëm për ata që udhëtojnë për turizëm, mision, biznes, me ftesë të dikujt, për studime maksimumi për një periudhë tremujore. Me liberalizimin e vizave shqiptarët mund të lëvizin maksimumi për 90 ditë nga data e hyrjes brenda një periudhe prej 180 ditë.

Sanksionet

Autoritetet kufitare të vendeve të zonës “Shengen” kanë të drejtë të mos lejojnë hyrjen, nëse këto kushte nuk respektohen. dhe të marrin një vendim përfundimtar për sa i përket aprovimit për të hyrë në vend. Nuk duhet harruar se këto rregulla të reja do të vlejnë vetëm për të udhëtuar për periudha të shkurtra, nuk do të japin mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj ose për të gjetur punë. Për këtë duhet paraqitur kërkesa për një vizë afatgjatë pranë ambasadës ose konsullatës së vendit ku dëshiron të shkosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›