E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardistët, sot para gjykatës akuza, ekspertim 4 predhave

14/02/2011  Avokatët: Do kërkojmë lirimin e gardistëve, Prokuroria nuk ka prova

ELTON QYNO

TIRANE-Katër efektivët e Gardës së Republikës Mark Nikolli, Agron Malaj, Sadik Çelaj dhe Gazmend Ahmetaj, që u arrestuan mbrëmjen e së premtes pritet të dalin sot para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Prokuroria e kryeqytetit ka arrestuar tre gardistët pas dyshimeve të ngritura se ata janë personat që kanë urdhëruar dhe qëlluar në drejtim të demonstruesve të PS që ndodheshin para godinës së Kryeministrisë më 21 janar. Ndalimi i tyre vjen menjëherë pas disa hetimeve të kryera dhe administrimin në dosje të disa akt-ekspertimeve, të cilat sipas prokurorëve tregojnë se ushtarët e Gardës kanë hapur zjarr jo në ajër, por shumë ulët, version ky që provohet nga ekspertizat, por edhe nga plumbat e gjetur në muret e godinave për rreth. Pritet që gjatë ditës së sotshme katër efektivat e Gardës të njihen me masën e sigurimit 30 ditë në burg të kërkuar nga Prokuroria, ndërkohë që avokatët mbrojtës shprehen se do i kërkojnë lirimin e klientëve të tyre për shkak se organi i akuzës nuk disponon asnjë provë që të faktonte akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Veç urdhër-arresteve organi i akuzës është duke kryer ekspertimin e të paktën 4 predhave, ku dy janë gjendur në trupat e viktimave Faik Myrto e Aleks Nikaj, ndërsa dy të tjera janë gjendur në njërën nga pishat e bulevardit, ndërsa tjetra në ndërtesën e UNHCR-së. Nga nxjerrja e konkluzioneve, pritet që Prokuroria të zbulojë armën që ka qëlluar, si dhe gardistin që ka përdorur armën gjatë demonstratës së 21 janarit.

Reagim i bluve, mohojnë rrjedhjen e informacionit për 21 janarin

Policia: Prokuroria botoi 100 shkrime të përzgjedhura

Policia e Shtetit njofton se “U njoh me habi me akuzat e institucionit të Prokurorisë ndaj saj, sipas të cilave nuk është Prokuroria ajo që rrjedh në media të caktuara materialet e hetimit të dosjes së 21 janarit, por është Policia e Shtetit burimi i botimit të këtyre materialeve. Lidhur me këto pretendime dhe akuza të padëgjuara ndonjëherë më parë, policia fton Prokurorinë të ndërmarrë menjëherë një hetim të plotë e të gjithanshëm rreth këtyre çështjeve dhe i ofron asaj bashkëpunimin e plotë. Policia thekson se në hetimin mbi 4 viktimat akti i parë i Prokurores së Përgjithshme ka qenë përjashtimi i Policisë së Shtetit nga hetimi. Ndërkohë theksojmë se pikërisht në lidhje me këtë pjesë të hetimit janë botuar rreth 100 shkrime në media të përzgjedhura. Policia disponon fakte se vetë gazetarë të këtyre mediave i kanë pohuar Prokurorisë se burimi është vetë ajo. Policia thekson se në qindra praktika nuk ka pasur as edhe një rrjedhje të vetme”.

Instituti u përmend nga akuza si burim i mundshëm

Mjekësia Ligjore: As ne nuk dhamë informacion

Pak minuta pas deklaratës së Policisë së Shtetit që kundërshtonte kategorikisht rrjedhjen e informacionit rreth hetimeve për 21 janarin, reagoi edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili gjithashtu ishte akuzuar nga Prokuroria si një ndër institucionet nga i cili mund të kishte pasur rrjedhje informacioni. Në reagimin e Mjekësisë Ligjore thuhet se në asnjë rast prej këtij institucioni nuk ka pasur rrjedhje informacioni rreth ekspertizës së kufomave që mjekët kanë kryer. Sipas Mjekësisë Ligjore janë të tjera burimet e gazetarëve dhe jo mjekët.

Prokuroria: Leonard Beqiri shfaqet duke ndarë 70 mijë euro me Priftin

Videoja nr. 2, hetim dhe ish-zv/ministrit të Ekonomisë

Amerikani gjeti videon e dytë skandal, fletë-thirrje Beqirit

TIRANE-Zbulimi i një video të dytë brenda skandalit të përgjimit Meta-Prifti, ka sjellë zgjerimin e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, ku kjo e fundit aktualisht ka shtrirë veprimet procedurale dhe mbi ish-zv/ministrin e Ekonomisë Leonard Beqirin. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë, të cilat thanë se ekzistojnë dyshimet e arsyeshme që Beqiri ka konsumuar elementët e veprës penale të korrupsion dhe nisur nga kjo situatë ndaj tij është regjistruar një procedim penal. Mësohet se ish-zv/ministri do hetohet lidhur me një aferë prej 70 mijë eurosh, e cila është ndarë mes tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, deputetit Dritan Prifti. Pritet që në ditët në vazhdim Prokuroria të thërrasë për të dëshmuar Leonard Beqirin, i cili do japë pretendimet e tij para prokurorëve lidhur me video skandalin që u zbulua nga eksperti amerikan Glenn Bard. Nga ekspertimi teknik i kryer provave materiale ka rezultuar se në to ekzistonte dhe një video tjetër, e cila ishte fshirë dhe që është rikuperuar nga eksperti. Kjo video është e datës 11 mars 2010 dhe në të janë regjistruar dy persona, njëri ndër të cilët është ish-ministri i METE-s dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi Dritan Prifti dhe tjetri është ish-zëvendësministri i METE-s, shtetasi Leonard Beqiri. Këta shtetas, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike dhe në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej rreth 70 mijë eurosh. Kaq i ka mjaftuar që organi i akuzës të nisë hetimet dhe për ish-zv/ministrin Beqiri, i cili këtë post e ka mbajtur deri në periudhën kur në krye të Ministrisë së Ekonomisë erdhi Ilir Meta. Ky i fundit vendosi shkarkimin e zv/ministrit Beqiri duke e zëvendësuar me një emër tjetër, eksponent të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Beqiri ka qëndruar në postin e zv/ministrit që nga dita e ardhjes në krye të ministrisë, deputeti Dritan Prifti. Nga videoja rezulton se dy ortakët shfaqen duke ndarë një shumë të konsiderueshme eurosh, ndërkohë që nuk dihet se cili ka qenë qëllimi që Prifti ka përgjuar vartësin e tij, ish-zv/ministrin Leonard Beqiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›