E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në autobusin e linjës Gjirokastër-Tiranë, arrestohet faturino

GJIROKASTËR - Faturino i autobusit të linjës Gjirokastër-Tiranë, është kapur me një kg mariuanë që e mbante poshtë sedijes së shoferit. Kontrolli i mjetit u bë në mesnatë, pas informacioneve që dispononte policia për transportimin e lëndës narkotike.

Sot, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, bëri me dije se "mbrëmë vonë specialistët e Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë marrë informacion në rrugë operative se në autobusin e linjës së orës 23.00, Gjirokastër-Tiranë me targa GJ 61 52 A, kishte një çantë me lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë me destinacion Tiranën.

Menjëherë është ngritur një postbllok në vendin e quajtur agjencia e qytetit Tepelenë në aksin rrugor Gjirokastër - Memaliaj. Rreth orës 00.10 autobusi u ndalua nga policia dhe pas një kontrolli të imtësishëm u gjet poshtë sedijes së shoferit çantë me rroba, që në brendësi kishte një pako të mbushur me lëndë narkotike, e dyshuar si mariuanë, me peshë 1 kilogramë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kjo çantë i përkiste shtetasit Spiro Pepe, 56 vjeç, faturino i autobusit. Policia bën të ditur se është arrestuar në flagrancë ky person, banues në Memaliaj të rrethit Tepelenë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe zbulimin e rrjetit me të cilin punonte faturino.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›