Dekretet, gati me votim të hapur
Erald Kapri
Dekretet e Presidentit të Republikës Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë do të votohen në mënyrë të hapur në Kuvend. Këshilli i Rregullores, Mandateve e Imuniteteve në Kuvend zhvilloi dje mbledhjen e tij të pestë për këtë çështje, ndërsa vendosi që dy amendimet e rregullores së Kuvendit për dekretet të kalojnë, për votim seancën e ditës së enjte. Këto ndryshime në rregullore, miratohen në Kuvend me një shumicë të thjeshtë votash, çka solli edhe kundërshtimin e ashpër të opozitës për to. Mësohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura në Këshillit, kreu i grupit Parlamentar të PS-së Gramos Ruçi ka kundërshtuar këto ndryshime. Sipas tij, votimi i hapur nuk mund të pranohet pasi votimi ka të bëjë me emra specifik dhe duhet të ndiqet praktika e votimit të deritanishëm në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka thënë më tej se ndryshimi po bëhet pasi maxhoranca ka frikën e rrjedhjes së votave nga gjiri i saj. "Deputetët e mazhorancës thanë se këto ndryshime janë një instrument që i shërben transparencës dhe që i jep mundësi opozitës të mbikëqyrë e të kontestojë publikisht çdo kandidaturë që mund të zgjidhet për interesa të tjera të ndryshme nga interesat e drejtësisë. Zoti Gramoz Ruçi tha se nuk ishte dakord me këtë", thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit për mbledhjen e Këshillit. Ndryshimet e rregullores kanë të bëjnë në dy pika. Së pari kërkohet që votimi i dekreteve të mos bëhet me votim të mbyllur por të hapur, siç bëhet me ministrat e kabinetit qeveritar. Ndërsa ndryshimi i dytë të ka bëjë me shqyrtimin e dekreteve nga Kuvendi. Nga 3 javë që është aktualisht në rregullore, do të vendoset 8 javë. Këto ndryshime do të kalojnë ditën e enjte në seancë e më pas sipas kalendarit të punimeve të Komisionit të Ligjeve, nga dita e hënë do të nisë shqyrtimi i 3 dekreteve për në Gjykatën e Lartë, të cilat kanë ardhur në Kuvend nga Presidenti Topi. Sipas njoftimit zyrtar, deputetët e mazhorancës thanë se këto ndryshime janë një instrument që i jep mundësi Kuvendit të shprehë përgjegjësinë përpara shqiptarëve. "është garancia e vetme që shqiptarët kanë për të siguruar njerëzit më profesionistë dhe më me integritet të zgjidhen në organet e larta të drejtësisë. është instrument që synon të garantojë një sistem drejtësie të pa korruptuar e që gëzon besimin e shqiptarëve. Ky propozim është në përputhje me vlerësimet që Komisioni i Venecias i ka bërë procedurave të votimit në të gjitha vendet evropiane", thuhet më tej në njoftim. Në mbledhje u bë propozimi që votimi të bëhet nominal, gjë për të cilën i takon Kuvendit të vendosë.