E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e të dënuarve, PD s’pranon kërkesat direkt tek Presidenti Topi



Maxhoranca dhe opozita kanë vijuar diskutimet për projektligjin "për faljen" në Komisionin e Ligjeve, ndërsa në ditën e dytë të diskutimeve, maxhoranca nuk ka pranuar disa nga amendamentet e opozitës. Deputetët e Partisë Socialiste kërkuan një ndryshim në nenin 7 të këtij projektligji, që ka të bëjë me kushtet dhe kërkesat që duhet të përmbushin të burgosurit para se të kërkojnë falje nga Presidenti i Republikës. Në këtë pikë, opozita kërkoi që i dënuari të bëjë kërkesën direkt tek Presidenti i Republikës dhe jo tek Ministri i Drejtësisë siç e ka projektligji i Qeverisë. Por maxhoranca e kundërshtoi këtë pikë pasi sipas deputetëve të djathtë, kërkesa duhet të bëhet tek Ministri i Drejtësisë pasi ministria përgatit të gjithë dokumentacionin para se ta dërgojë tek Presidenti i Republikës. Por ky nuk ishte debati i vetëm mes maxhorancës dhe opozitës. Një tjetër pikë ishte edhe neni 5, i cili përcakton kriteret ndaluese. Të dyja palët kanë kërkuar formulime të ndryshme për këto kritere. Anëtarët e komisionit debatuan amendimin e paraqitur nga deputetët e opozitës, por në fund nuk vendosen për miratim duke e lënë për diskutim javën e ardhshme. Gjithsesi deputetët e komisionit vijuan diskutimin për nenin 6 të projektligjit në të cilin u miratua ndryshimi për shtimin e listës së subjekteve që kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për falje. Kjo pikë u miratua me konsensus duke vendosur që edhe familjarët mund të bëjnë kërkesë për falje ndaj një të dënuari. Deputetët e opozitës kanë paraqitur disa amendamente për ndryshime në projektligjin "për faljen". Ndryshe nga projektligji i Qeverisë, opozita kërkon që një i dënuar duhet të ketë vuajtur minimalisht gjysmën e viteve të burgut, për të bërë kërkesën për falje të dënimit të mbetur. Projektligji i Qeverisë përcakton vetëm 1 të 3 e dënimit. Nga ana tjetër, tek kriteret ndaluese, opozita ka shtuar veprat penale, të cilat ndalojnë të burgosur të kërkojnë falje.

amendamentet

Në nenin 6 miratohet pika:
Kërkesa për faljen e dënimit bëhet nga personi i dënuar ose mbrojtësi i tij, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe në rastin e të dënuarve të mitur nga njeri prej prindërve, nga kujdestari ose nga mbrojtësi i caktuar, kryesisht ose i zgjedhur me prokurë. Kërkesa për faljen duhet të përmbajë: mendim me shkrim të të dëmtuarit nga vepra penale në rastet e veprave penale kundër personit dhe familjarëve të viktimës.

Ne nenin 5 mbetet për tu vendosur për kriteret ndaluese si:
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, trafikimi i personave, shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese, trafikimi i femrave, trafikimi i të miturve, vjedhja me pasojë vdekjen, dorëzimi i terrorit, dorëzimi i forcave të armatosura, atentati, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikimi i narkotikëve, organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, organizata kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›