E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Të nisë dialogu. Integrimi të kthehet në axhendë kombëtare

TIRANË-Bashkimi Europian konsideron se Shqipëria i ka të gjitha shanset të integrohet në unionin e madh, por kjo varet nga klasa politike. Përfaqësuesi i BE në vend, Ettore Sequi, ambasadori i Hungarisë, Sandro Molnari dhe ai i Spanjës, Rafael Perez në një konferencë të përbashkët për shtyp ne Tirane me rastin e ditës së fundit të mbajtjes së Presidencës së BE nga Hungaria, kanë dhënë mesazhe të forta në drejtim të klasës politike shqiptare.

Pasi evidentuan fuqinë e BE, punën që është bërë në struktura e unionit nga Hungaria, Spanja e Belgjika gjatë mbajtjes së Presidencës së BE nga këto vende, vëmendja u përqëndrua në Shqipëri.
Sequi, Molnari e Perez kërkuan sot që politika të punojë shumë në drejtim të integrimit të vendit, pasi kjo do të ishte në interest të vetë shqiptarëve, dëshirës së tyre për të qënë pjesë e BE.
“Mund të them pa pikë dyshimi se kjo nuk do ishte vetëm në interest të Shqipërisë, por duhet ta dimë që kjo është dëshira e qytetarëve dhe pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo gjithnjë nëse është e vërtete që më shumë se 90% e Shqipërisë e mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe kjo do të thotë se dhe politikanët duhet ta mbështesin këtë punë”, u shpreh perfaqesuesi i BE ne vendin tone.

Sequi vazhdoi më tej duke theksuar mundësitë që gëzon Shqipëria për të arritur këtë shans të madh, integrimin në BE.
“Dëshiroj të them se me aq sa e njoh unë Shqipërinë dhe shqiptarët, procesi i integrimit është i mundshëm. Ju keni mundësi të mobilizoni të gjitha energjitë e vendit tuaj, të arrini gjithë këtë dhe këtë mund ta them fare qartë, ajo që ju nevojitet është angazhimi politik, i bëjmë thirrje palëve t'i rikthehen dialogut politik dhe të zgjidhin këtë ngërc të gjatë politik, integrimi duhet të jetë axhendë kombëtare”.

Molnari
Ambasadori Sandro Molari theksoi se Serbia dhe Mali i Zi kanë ecur përpara lidhur me integrimin e vendeve të tyre drejt BE, ndërsa Kroacia sipas tij finalizoi këtë muaj përpjekjet shumë vjecare për tu anëtarësuar në BE. Por, Shqipëria, cfare po ndodh, ketu.
Sipas ambasadorit dialogu politik kishte nisur të funksiononte mire në vend para zgjedhjeve lokale, por sapo nisi procesi zgjedhor që ende nuk ka përfunduar, këtu nisi problematika. “Mund të themi se patëm kënaqësinë të shihnim që para zgjedhjeve lokale kishte filluar puna për zbatimin e planit për zgjerimin, dhe meqënëse procesi paszgjedhor është ende në vazhdimësi dua të theksoj se nuk ka asnjë alternativë tjetër realiste për Shqipërinë përvec, nisjes së dialogut politik”.
Molnari theksoi se Hungaria ka mbështetur gjithnjë statusin kandidat të Shqipërisë për në BE.
“Ne jemi të mendimit që ky është synimi kryesor për Shqipërinë, mundësisht gjatë vitit 2011, por celësi i kësaj pune do të jetë zbatimi i atyre detyrave që janë nxjerrë nga Komisioni Europian, 12 prioritetet”.
Molnari theksoi se Hungaria ka patur një parim derisa arriti integrimin në BE, vënien e interesit të vendit, përpara atyre politike. Sipas tij, kjo duhet ndjekur dhe nga Shqipëria.
“Në Hungari, gjatë procesit të integrimit ka qënë një marrëveshje, që elita e lartë në Hungari kishte vendosur që,cfarëdo marrëveshje, ligj që do kalonte në parlament duhet të tejkalonte interesat politike. Domosdoshmërisht dhe ne kshim debatet tona, të ndryshme, por i tejkalonim duke patur parasysh të ardhmen europiane” .

Sequi
Ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi i pyetur rreth situatës politike në vendin tonë dhe sa ndikon kjo në cështjen e integrimit, u shpreh: “Ambicia ime, ajo që pres unë shpresa ime, është që procesi i ingetrimit të konsiderohet si axhendë kombëtare në Shqipëri, ajo që shoh unë është se cfarë të mirash i sjell një vendi anëtarësimi në BE. Pra, unë mendoj që kjo është puna juaj (gazetarëve) të promovoni këto pyetje”.

Ambasadori theksoi dhe njëherë mesazhet që u dërguan nga BE në mbledhjen më të fundit, atë në Luksemburg.
“Këshilli i BE bëri një takim dhe nxorri një dokument ku bëri disa sugjerime. Në pikën 4, BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare , t’i rikthehet dialogut politik dhe te tejkalojnë ngërcin e gjatë politik. Ky dialog i tillë është i rëndësishëm për funskionimin normal të një shoqërie demokatike duke përfshirë këtu funksionimin efikas të parlamentit dhe menaxhimin e vendit drejt axhendës europiane”.
Duke theksuar se natyra e tij nuk është të bëjë parashikime, Sequi i pyetur nëse BE do vijojë të ndihmojë edhe nëse dialogu mes palëve politike dështon, u shpreh se “Europa po tregon se e ka vërtetuar cdo ditë, gjithnjë e me tepër që është këtu për të ndihmuar, megjithatë ju duhet ta dini se ky është vendi juaj dhe këto janë mundësitë tuaja, shancet tuaja”.

Perez
Pasi dëgjoi Sequi dhe Molnari, ambasadori spanjoll Rafael Perez me dy fjalë përmblodhi mesazhin e tij drejtuar Shqipërisë. “Jam njëzëri me dy ambasadorët, që gjithe kjo situatë të zgjidhet në një kohë sa më shpejt në favor të vendit”.

(d.bonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›