BE: Zbatimi i ligjit sfidë e EULEX-it
Zyrtarë të Bashkimit Europian janë shprehur se në disa pjesë të Kosovës, misioni i EULEX-it ballafaqohet me shumë sfida. Zyrtarët europianë i referohen funksionimit të këtij misioni nëpër lokalitetet e banuara me shumicë serbe. Zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë Karin Limdal thotë se Kosova në përgjithësi përballet me sfida të shumta të zbatimit të rendit dhe ligjit. Ajo pohon se, EULEX-i është i pranishëm në Kosovë për këtë arsye. Përsa iu përket enklavave serbe, Limdal shprehet se ka një bashkëpunim të kënaqshëm me serbët lokalë, por sipas saj, sfidat e funksionimit të këtij misioni dallojnë kur bëhet fjalë për zona të ndryshme të Kosovës. "Disa pjesë të Kosovës janë më sfiduese sesa të tjerat dhe ky fakt nuk është sekret. Në pjesën veriore të Kosovës ka nevojë për një sqarim më të madh për punën e EULEX-it. Por sidoqoftë, mandati i misionit të EULEX-it është që të kontribuojë për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe konsiderojmë se ky është një kontribut i madh që BE-ja po i bën Kosovës", thotë Limdal. Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve të Kosovës deklarjnë se nuk janë të kënaqur me dinamikën e dislokimit të misionit të EULEX-it dhe marrjen e përgjegjësive që ka ky mision. Kryetari i qendrës koordinuese serbe Zvonimir Steviç, kritikon EULEX-in se ende nuk ka filluar të funksionojë në mjediset e banuara me serbë. "Për fat të keq, më duhet të konstatoj se ajo që kanë pritur serbët dhe të tjerë nga komunitetet joshqiptare në Kosovë, lidhur me vendosjen e EULEX-it, nuk po shkon me dinamikën e dëshiruar dhe ky mision nuk po funksionon me kapacitete të plota", thotë Steviç. Sipas tij, kundrejt faktit se EULEX-i ka shpallur zyrtarisht funksionimin me kapacitete të plota në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur nëpër mjediset e banuara me serbë. Mirëpo, zëdhënësja e EULEX-it rikujton se ky mision ka dislokuar personelin e vet edhe nëpër enklavat serbe. Misioni i EULEX-it ka filluar mandatin në Kosovë më 9 dhjetor, ndërkaq ka shpallur fillimin e punës me kapacitete të plota, gjatë kësaj jave.