BE akoma nuk dërgon ambasador në Shkup

Bashkimi Evropian (BE) akoma nuk ka emëruar ambasadorin e saj në Shkup, pas largimit të ish-ambasadorit Peter Sorensen drejt Sarajevës.
Procedura për zgjedhjen e ambasadorit të ri evropian është në procedurë e sipër, ndërsa emri i ambasadorit pritet të publikohet së shpejti, kanë informuar nga kabineti i zyrtares së lartë për politikë të jashtme të BE-së, Ketrin Eshton për të përditshmen “Dnevnik”.
Sipas gazetës, fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit mund të gjejë vendin pa ambasadorin e BE-së, dhe se mosprania e tij është një mungesë e konsiderueshme në vend.
Burime pranë zyrës së BE-së në Shkup theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se vendimi kryesisht ndërlidhet me çështje administrative dhe procedurale, ndërsa asgjë nuk ka të bëjë me çështje dhe prapavija të tjerë që mund të sjellin keqkuptime politike.
Ish-ambasadori i BE-së, Ervan Fuere në fund të mandatit u gjet në shënjestër të kritikave nga ana e qeverisë së VMRO-DPMNE dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Për largimin e tij shumica e krerëve të lartë qeveritar përfshirë edhe kryeministrin nuk organizuan takime të veçanta lamtumire, për të nderuar një figurë kyçe të politikës ndërkombëtare.
Maqedonia u gjet pa diplomatin e parë evropian edhe me rastin e Samitit të fundvitit të BE-së. Asnjë fjalë apo një rekomandim nuk u tha për Maqedoninë në këtë samit, ku vetëm Kroacia përfitoi nënshkrimin e marrëveshjes paraqasëse për anëtarësim në BE, duke u bërë anëtarja e 28 e familjes së gjërë evroperëndimore.