E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE anulon bisedimet, nuk pranohen kërkesat serbe

Raundi i bisedimeve i parashikuar për t’u zhvilluar dje u shty. Serbët kërkonin që në axhendën e ditës të futeshin diskutime për pikat doganore dhe gjendjen në Veri.

Raundi i radhës i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, që ishte planifikuar të mbahej dje, është anuluar për shkak se delegacioni serb ka kërkuar që të diskutohet për gjendjen në veriun e Kosovës. Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, Robert Cooper, tha se “bisedimet u anuluan, meqë delegacioni serb nuk ishte i gatshëm të diskutojë temat e parapara për sot (dje)”. Sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë atëherë kur pala serbe të jetë e gatshme për vazhdimin e tyre. Në takimin e djeshëm tema e paracaktuar ishte energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët gjatë bisedimeve. Por delegacioni serb ka kërkuar që në debat të shtrohet situata në veriun e Kosovës, ku pardje pati përleshje ndërmjet forcave paqeruajtëse dhe protestuesve serbë, që lanë pas vetes 11 të plagosur, nga të cilët katër ushtarë të NATO-s dhe shtatë protestues. Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës, duke kërkuar që në bisedimet e parapara për sot në Bruksel të shtrohet çështja e vendkalimeve kufitare. Por, ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, Robert Cooper, tha se “gjendja në vendkalimet në veri të Kosovës nuk është pjesë e bisedimeve apo takimeve të ndara me Serbinë”. Bashkimi Europian pret që palët së shpejti të bien dakord për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, tha se do të zhvillohen këshillime me të dyja palët për të caktuar një kalendar bisedimesh. Beogradi synon integrimin në Bashkimin Europian dhe pret që të marrë statusin e vendit kandidat, por kjo do të varet nga qëndrimi kundrejt Kosovës. Bisedimet që filluan në mars të këtij viti synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike të cilat kanë mbetur të pazgjidhura për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Më 2 shtator Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me përdorimin e vulave doganore. Në frymën e kësaj marrëveshjeje më 16 korrik, EULEX dhe qeveria e Kosovës, vendosën në vendkalimet kufitare në Veri pjesëtarët e doganave dhe të policisë kufitare. Ky operacion po kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët lokal, të cilët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në Veri që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›