E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan e Barça bindin, Çelsi ndalet në Valencia

SHKRUAN: Jeton Selimi 29-09-2011 17:02

Kryendeshja e ditës së djeshme ishte padyshim përballja e “Mestalla”-s mes Valencias vendëse dhe Çelsit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Andre Vilas Boash gjen golin e parë me anë të mesfusorit të saj, Frenk Lampard. Por vendësit nuk dorëzohen dhe këmbëngulin gjatë dhe e gjejnë golin e barazimit pas një ndërhyrje të pamenduar në zonë nga ana e Kalus, që largon një topn me dorë. Ricoli akordon një penallti, e cila kthehet në gol nga Soldado. Në ndeshjety tjetër të grupit E, Bajer Leverkuseni ka fituar pastër 2-0 me belgët e Genk në “Bay Arena”. Arsenali u duk se do të kishte një ndeshje të lehtë me grekët e Olimpiakosit, por nuk rezultoi kështu. “Topçinjtë” e Arsen Vengerit kaluan në avantazh të dyfishtë me anë të Çambërlein dhe Santos në 20 minutat e para, por grekët rihapën gjithçka me golin e Torrijos. Sidoqoftë, një fitore kjo që sjell tre pikë të vlefshme për londinezët. Marseja ka shpartalluar Borusian e Dortmundit në ndeshjen që vuri përballë njëra-tjetrës kampionen e Francës dhe të Gjermanisë. Skuadra e Didie Dëshamp u tregua më racionale dhe e siguroi fitoren që në fraksionin e parë të lojës me golat e Ajeu dhe Remi, ndërsa në të dytën Ajeu do të realizonte golin e tretë për skuadrën marsejeze dhe të dytin personal. Në ndeshjet e grupit G, ka qenë një fitore surprizë ajo e Zenitit të Shën Pjetërburgut ndaj kampionëve të portugezë të Portos. Rusët kanë përmbysur disavantazhin e minutës së dhjetë kur Rodriguez do të shënonte golin për miqtë. Shirokov do të barazonte në të 20-ën dhe do të përmbyste gjithçka në të 63-ën, përpara se Dani të vuloste triumfin rus me golin e tretë të ndeshjes. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes Shakhtarit dhe Apoelit u mbyll në barazim. Qipriotët shënuan të parët në të 61-ën, por vetëm 180 sekonda më pas Xhadson do të barazonte shifrat. Milani dhe Barcelona kanë pasur një mbrëmje të lehtë dje. Kuqezinjtë hasën vështirësi derisa gjetën golin e parë pas penalltisë së shndërruar në gol nga Ibrahimoviç, por dominuan të gjithë ndeshjen me çekët e Viktoria Plzen, duke triumfuar përfundimisht me shifrat 2-0. Në Bjellorusi, Barcelona e kthen në festë mbrëmjen e ftohtë me 5 golat e saj, dy të realizuar nga argjentinasi Lionel Mesi. Milani dhe Barcelona udhëheqin grupin H me nga 4 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›