E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja Limaj, dëshmitari X, gjendet i vdekur në Gjermani

I njohur si dëshmitari X, Agim Zogaj, bashkëpunëtor i prokurorëve në akuzën kundër Fatmir Limajt, u gjend i vdekur në një park në Gjermani. Mediat raportuan fillimisht se ai kreu vetëvrasje në Prizren. EULEX konfirmon lajmin, por pa sqaruar nëse ishte vrasje apo vetëvrasje.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se është gjetur i vdekur dëshmitari kryesor i prokurorisë në rastin e deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar për krime lufte. Në një njoftim të shkurtër zyrtarët e EULEX-it thanë se Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në një park në Gjermani. "Autoritetet gjermane po kryejnë hetimet e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij", thuhet në njoftim. Por, ata nuk deshën të komentojnë njoftimet e medieve se dëshmitari ka kryer vetëvrasje. Më 26 korrik një prokuror i EULEX-it kishte ngritur një aktakuzë kundër Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij, për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën Qendrore. Zogaj, i cili gjatë luftës ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte dërguar në Gjermani si dëshmitar i mbrojtur. Më 22 shtator, Limajt iu komunikua masa e arrestit shtëpiak, pasi më parë Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një opinion sipas të cilit deputetët nuk kanë imunitet për veprat e kryera jashtë fushëveprimit të tyre. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë e kishte shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Raportet e medias mbi vdekjen e dëshmitarit X kanë qenë kontradiktore. Mediat kanë spekuluar se dëshmitari X ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e tij në Prizren, mirëpo një zëdhënës i Policisë së Kosovës, në një prononcim për ExpressOnline, ka mohuar që në rajonin e Prizrenit të ketë ndodhur ndonjë vetëvrasje në 24 orët e fundit. Por, Klan Kosova, duke u bazuar në burime të vetat, thotë se dëshmitari kreu vetëvrasje në një park në Gjermani. Dëshmitari X kishte inkriminuar Fatmir Limajn në shumë krime në Kleçkë. Ai kishte deklaruar se më ose afër 3 prillit 1999 atij i thanë se Fatmir Limaj kishte urdhëruar vrasjen e Velko Markoviqit dhe Nebojsha Gjuriqit, dy oficerë të policisë serbe, të cilët ishin të paraburgosur në shtëpitë e djegura në Kleçkë për rreth tre muaj. Dëshmitari X, asokohe ushtar i UÇK, sipas prokurorit, hezitonte ta zbatonte këtë urdhër dhe nuk donte ta bënte këtë para se të bindej se Limaj vërtet e kishte lëshuar urdhrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›