E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE apelon për qetësi në Kosovë

Ketrin Eshton

Bashkimi Europian dhe NATO-ja kanë rritur vigjilencën rreth situatës në Kosovë në prag të zgjedhjeve të Serbisë, të cilat të dielën e ardhshme do të zhvillohen edhe në territorin e Kosovës.

Fushata e zgjedhjeve dhe dita e votimeve gjithmonë rrisin mundësitë e tensionimit të situatës, prandaj këto dy organizata thonë se janë duke bërë përpjekje që të mos ketë tensionime të mëtejshme.

Në këtë aspekt, nga Brukseli është përshëndetur edhe marrëveshja e fundit e arritur, sipas të cilës OSBE-ja do të lehtësojë votimet në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Këtë e ka përshëndetur të martën edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Ketrin Eshton.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së mirëpret marrëveshjen e arritur për lehtësimin nga ana e OSBE-së për votimet parlamentare e presidenciale serbe në Kosovë dhe shpreh mirënjohjen e saj dhe mbështetjen e plotë për OSBE-në, që të kryejë punën në cilësinë e lehtësuesit, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i baroneshës Eshton.

Ajo më tej thotë se fton si Prishtinën, ashtu edhe Beogradin, që të vazhdojnë bashkëpunimin me OSBE-në me vullnet të mirë, në mënyrë që votimet të kalojnë me një situatë të zakonshme dhe paqësore.

Po ashtu, Eshton fton që të gjithë të përmbahen nga çfarëdo veprimi, i cili do të mund të nxiste tensione.
Në fund të prononcimit të saj për zgjedhjet e Serbisë që do të zhvillohen në territorin e Kosovës, Ketrin Eshton thotë se EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë dhe të zbatojë mandatin e vet në bashkëpunim të ngushtë edhe me faktorët e tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›