E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE bëhet me shtëpi në veri

Përfaqësues të Bashkimit Europian në Kosovë kanë hapur të premten “Shtëpinë e Bashkimit Europian", e cila do të shërbejë si kulm për të gjitha strukturat e BE-së, e me të cilën synohet shtimi i pranisë dhe aktiviteteve të BE-së në veri të Kosovës.

Hapja e Shtëpisë së BE’së parashihet edhe në Strategjinë për Integrimin e Veriut, të hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, sikurse edhe forcimi i sundimit të ligjit përmes EULEX’it në këtë pjesë, ku Prishtina akoma nuk po mund ta shtrijë pushtetin.

Por, i dërguari i BE-së për Veriun, Michael Giffoni ka hedhur poshtë çdo ndërlidhje të hapjes së Shtëpisë së BE’së me Strategjinë për Veriun.

“Kjo nuk është e lidhur me asnjë plan. Kjo është një ngjarje për të theksuar angazhimin e BE-së për të rritur praninë dhe besimin e saj në Kosovën veriore dhe është pjesë e kësaj qasjeje. Nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë plan, apo qasje të institucioneve të tjera”, ka thënë ai

Giffoni së bashku me shefin e EULEX-it në Kosovë, Yves de Kermabon kanë vizituar Shtëpinë e BE-së, e cila gjendet afër stacionit të policisë dhe ndërtesës së Gjykatës në veri të Mitrovicës.

Kermabon ka përsëritur se qëllimi i misionit që ai drejton, është lufta kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, si dhe kthimi i gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale të Mitrovicës.

Ky zyrtar i EULEX’it është zotuar për forcimin e sundimit të ligjit në veri. “Ne kemi prani të policisë dhe të doganës 24 orë në ditë, në portën 1 dhe 31, e cila ka pasur si rezultat zvogëlimin e madh të kontrabandës. Ne e kemi rihapur Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe jemi marrë me disa raste, të mbështetur edhe nga personeli administrativ vendas, që është kthyer përsëri në gjykatë verën e kaluar”, ka shtuar ai.

Por, cili është qëllimi i Shtëpisë së BE’së në Veri?
“Ekziston një nevojë urgjente për të gjetur zgjidhje pragmatike për kthimin e gjykatësve dhe të prokurorëve serbë dhe të atyre shqiptarë të Kosovës, në mënyrë që të ofrohet drejtësia nga një gjyqësor i vetëm dhe shumetnik”, ka thënë Kermabon.

Këta zyrtarë të BE’së po ashtu kanë shprehur përkushtimin për perspektivën europiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se takimi i sotëm në këtë godinë të përkohshme, të ashtuquajtur ‘Shtëpi e BE-së’, është një hap pozitiv në këtë drejtim dhe jep një sinjal konkret të pranisë së BE-së në Kosovën veriore”, tha Giffoni.

Shtëpia e BE-së në veri të Mitrovicës do të jetë zyra e ambasadorit italian, Michael Giffoni, si dhe do të shërbejë si qendër informative e BE-së.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar pozitivisht hapjen e Shtëpisë së Bashkimit Europian në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se ky është një sinjal i mirë i mbështetjes së angazhimeve shtetërore të Kosovës për integrimin e kësaj pjese. Por kreu i AAK’së hapjen e kësaj shtëpie e konsideron si pasojë e paaftësisë së institucioneve të Kosovës për të shtrirë kontrollin në gjithë territorin e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›