Mbyllet rrobaqepësia, punëtoret kërkojnë pagat e tre muajve
Një tjetër firmë konfeksionesh në Korçë i ka vënë drynin aktivitetit, duke lënë pa punë të paktën 60 punonjëse. Subjektet greke që operojnë me fason në sektorin e konfeksioneve sa vjen e reduktohen për shkak të falimentit, duke hedhur në rrugë pa asnjë paralajmërim punonjësit e për më tepër pa iu shlyer disa paga mujore. Mbyllja e bizneseve me fason në Korçë në mënyrë të papritur është bërë tashmë fenomen bashkë me faktin se firmat largojnë pajisjet dhe prodhimin në momentet e krizës, duke lënë në mëshirë të fatit punëtoret, të cilave nuk u njihen pagat. Firma greke "Mika Korça" ka qenë subjekti i radhës që, për shkak të falimentit dhe mbylljes së aktivitetit, është larguar pa asnjë njoftim. Të paktën 60 punëtore, të cilat nuk kanë marrë pagat për të paktën tre muaj, kanë denoncuar publikisht këtë rast. Sipas tyre firma ka ndërprerë gradualisht prodhimin e më pas ka larguar në fshehtësi pajisjet, deri në vendimin përfundimtar për të mbyllur dyert. "Me sa jemi në dijeni, pajisjet e fundit janë larguar më 5 nëntor. Ne e kemi gjetur punën të mbyllur por kemi pritur se mos firma ka marrë një vendim të përkohshëm. Konflikti mes nesh dhe pronares greke nisi për pagat që nuk na janë dhënë për tre-katër muaj. Si fillim ne reaguam duke i kërkuar pagat, në rast të kundërt do të ndërprisnin punën. Por papritur firma është larguar dhe ka mbyllur prodhimin dhe nuk e dimë se ku ndodhet. Ne kemi mbetur pa punë dhe pa marrë pagat, lejet dhe as sigurimet shoqërore që në muajt e verës", tregon një nga punëtoret. Sipas grave që tashmë janë pa punë, pas mbylljes së fabrikës ato mbaheshin me shpresë në punë se do të paguheshin me një pagë më të lartë në rast se kishin më shumë prodhimtari. "Na kanë mashtruar, duke na kërkuar më shumë punë, pasi pretendohej se ka rritje prodhimi, por nuk merrnim asnjë lek", tregon një tjetër punonjëse, e cila thotë se është kërkuar ndihma e autoriteteve shtetërore. Por autoritetet nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh. "Nuk ka asnjë të dhënë pranë degës së tatimeve për mbylljen e firmës. Këto subjekte që punojnë me fason në fushën e konfeksioneve e kanë bërë tashmë metodë të mbyllin punën pa deklaruar falimentin, duke i hedhur gratë në rrugë", thotë kryetarja e Sindikatave, Natasha Lubonja. Kjo është e disata herë që firma greke, që operojnë me fason, mbyllin aktivitetin, duke lënë në rrugë qindra punëtorë, të cilët nuk përfitojnë as pagat mujore në mënyrë të rregullt. Në vitet e fundit në Korçë janë mbyllur të paktën 12 fabrika të sektorit të konfeksioneve. Vetëm këtë vit në qytet janë mbyllur për shkak të falimentit pesë firma greke.