BE dhe SHBA: Po rritet nacionalizmi në Maqedoni, mos respektimi i Marrëveshjes së Ohrit mund të çojë në tensione

Eurodeputetja gjermane, Doris Pack paralajmëron Maqedoninë. Raporti i Gordon: Ndërprerja e Censusit tregon për një klimë jo pozitive – qytetarët u penguan të deklarohen lirshëm
Eurodeputetja gjermane, Doris Pak ka theksuar se në Maqedoni po rritet nacionalizmi dhe se zhvillimet e fundit janë të rrezikshme për vendin.
Ajo këtë e deklaroi në kuadër të një debati midis anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Pak ka nënvizuar se nuk beson se Maqedonia në dhjetor do të marrë datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), sidomos pas ndryshimeve të fundit në Greqi. “Nuk besoj dhe kjo është ndjenjë e imja, dhe se sipas asaj që kam dëgjuar vështirë do të jetë. Ne nuk posedojmë mjete për t’i imponuar një vendi që të bëjë diçka”- ka deklaruar eurodeputetja gjermane.
Sipas saj, prolongimi i datës së fillimit të negociatave, do të shkaktojë më tepër nacionalizëm dhe kjo ndikon me probleme edhe në vendet fqinje. “Një situatë e tillë është e rrezikshme, pasi Maqedonia vërtetë ishte në rrugë të mirë pas Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tani ka shumë sinjale për rritjen e nacionalizmit”- ka theksuar Pak.
Raporti i Ndihmës Sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon.
Maqedonia po përsërit praktikat e gabuara – ndërprerja e Censusit tregon klimën jo pozitive
“Konflikti mbi emrin me Greqinë vazhdon të pengojë aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe për nisjen e bisedimeve për pranim në BE. Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e vazhduar të OKB-së mbi çështjen e emrit dhe do të përqafojnë çfarëdo zgjidhje që mund të rezultojë reciprokisht e pranueshme. Angazhimi aktiv e konstruktiv mes Athinës dhe Shkupit është jetik. Shtetet e Bashkuara bashkëndajnë të njëjtin shqetësim të shprehur në raporti progresin e Komisionit Europian mbi përsëritjet e gabimeve me praktikat demokratike. Duhet të shqyrtohen sfidat thelbësore në sundimin e ligjit, në veçanti mungesa e institucioneve të pavarura gjyqësore, ndjekja penale e zbatimi ligjor përzgjedhës dhe korrupsioni. Megjithëse Maqedonia ka bërë përparim në marrëdhëniet ndër-etnike, ndërprerja e fundit e regjistrimit zyrtar të popullsisë për shkak të një mosmarrëveshjeje politike mbi mënyrën se si të numëroheshin shtetasit e gjithë etnive nënvizon nevojën për më shumë punë. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar qeverinë që ta kthejë këtë në përparësi, duke vazhduar zbatimin si të letrës edhe të frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”.