BE diskuton për rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Serbisë

Shqetësimi ka ardhur nga rritja e kërkesave për azil politik në vendet e Bashkimit Evropian
Ministrat e Brendshëm të BE-së diskutojnë në Luksemburg për mundësinë e pezullimit të përkohshëm të së drejtës për të qarkulluar pa viza për shtetasit e disa vendeve të Ballkanit. Shkak është një rritje e konsiderueshme muajt e fundit e kërkesave për azil nga Serbia dhe Maqedonia u tha në qarqet diplomatike të BE-së. Nga janari deri në shtator vetëm në Gjermani nga këto vende kanë ardhur rreth 49.000 azilkërkues. Këta përbëjnë 20 për qind të kërkesave për azil.
Futja e përkohshme e regjimit të vizave do të merret në konsideratë vetëm në rast se përpjekjet e tjera do të jenë të pafrytshme. Pra fillimisht do të diskutohet se si mund të përmirësohet standardi i jetesës në vendet e origjinës, për të parandaluar në këtë mënyrë abuzimin e azilit që nga fillimi. Shumica e qytetarëve nga Serbia dhe Maqedonia që kërkojnë azil në Gjermani janë familje rome.
Regjimi i udhëtimit pa viza mund të pezullohet për gjashtë muaj, dhe të zgjatet me dymbëdhjetë muaj të tjerë.