E Diel, 1 Nëntor 2026

BE do të publikojë kushtet e heqjes së vizave për Shqipërinë

Alibeaj dhe Strazimiri në Zagreb, në takimin VI të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Ballkanit

Tiranë – “Viti 2009 duhet të jetë një vit aksioni për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, në mënyrë që BE-ja të vendosë për heqjen e vizave”. Me këtë konkluzion ka dalë takimi i Zagrebit i organizuar nga Presidenca franceze e Bashkimit Europian me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të rajonit, ku Shqipëria është përfaqësuar nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri. Dokumente të sigurta identiteti, kontrolli i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë katër shtyllat kryesore mbi të cilat do të merret vendimi i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jacques Barrot, kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor të konsolidojnë luftën e tyre veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri dy i Komisionit Europian qartësoi se më 15 nëntor Komisioni do të publikojë një raport, i cili do të detajojë me secilin prej vendeve, pikat e dialogut për heqjen e vizave me Bashkimin Europian. Kjo ishte edhe çështja më e debatuar në takimin e Zagrebit, ku ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të rajonit kanë kërkuar që vendet anëtare të Bashkimit Europian të mos jenë të kursyer jo vetëm në vlerësimin e progresit të secilit vend, por edhe të përshpejtojnë kohën e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave. Panorama e Shqipërisë e prezantuar nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, ishte ajo e një vendi që luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i ka shndërruar prej tre vjetësh në prioritetin kryesor të qeverisë dhe me gjithë sfidat e mëdha rezultatet janë konkrete dhe të njohura si nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. Të dy zyrtarët shqiptarë paraqitën në Zagreb shifra krahasuese nga viti në vit për të treguar rezultatet e Shqipërisë në luftën me zero tolerancë kundër trafiqeve, luftën kundër korrupsionit, ku Shqipëria në vitin e fundit ka bërë progres me 20 vende, vënien para drejtësisë të organizatave kriminale dhe konfiskimin e pasurive të tyre, kontrollin e kufijve për të nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve problematike për sigurinë e Bashkimit Europian.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›