Rama: “Sfida jonë, ulja e nivelit të lartë të papunësisë”
Shishtaveci i Kukësit ka qenë ndalesa e radhës e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, në turin "Dialog me Shqipërinë", ku në qendër të vëmendjes është bujqësia dhe zhvillimi rural. Në bashkëbisedimin me banorët e këtij fshati, Rama është ndalur në mungesën e tregut për produktet bujqësore të këtij fshati, të njohura në të gjithë vendin. Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se sfida e Partisë Socialiste është ulja e nivelit të papunësisë dhe varfërisë në të gjithë Shqipërinë. "Nuk kemi ardhur këtu për t'ju kërkuar apo marrë votat, por jemi këtu për t'ju dëgjuar dhe për të kuptuar më mirë hallet tuaja dhe shpresat tuaja, problemet dhe ëndrrat tuaja, sepse në këtë zonë të thellë ka shumë probleme, halle, shqetësime të përditshme. Europa duhet ndërtuar këtu. Ta ndërtojmë te çerdhet, kopshtet, shkollat, spitalet. Europën ta ndërtojmë këtu në fushat tona, të cilat kanë kohë që janë djerrë, apo mezi punohen për shkak të kostove të jashtëzakonshme të prodhimit. Ne duhet t'i ulim kostot e prodhimit duke u bërë bashkë. Duhet ta sfidojmë varfërinë duket u bërë bashkë. Ne duhet ta mundim papunësinë duke u bërë bashkë. Kjo është sfida jonë. Ne duhet të bashkohemi jo kundër disave, por për fëmijët tanë dhe këtij bashkimi ne duhet t'i japim zemrën dhe mendjen tonë. Le të bëhemi bashkë dhe ta lëmë pas politikën e vjetër të së shkuarës, sepse e ardhmja kërkon prej nesh këtë bashkim dhe për këtë bashkim unë jam këtu dhe në emër të këtij bashkimi unë me të gjithë shokët e tjerë do t'ju dëgjojmë, sepse nuk kemi ardhur për një fjalim dhe të ikim, por të marrim me vete shqetësimet, problemet, dëshirat dhe ëndrrat tuaja që së bashku nesër t'i bëjmë realitet", - tha kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.
9 Nentor 2008