Kumbaro, Londra do të japë përgjigje brenda dy javëve
Luan Kondi
Tiranë – Autoritetet e Londrës do të japin përgjigje brenda 25 nëntorit në lidhje me fatin e Ilir Kumbaros, ish-drejtor në Drejtorinë Qendrore të SHIKut dhe i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas në vitin 1995. Menjëherë pas arrestimit të tij, Ministria e Drejtësisë i kërkoi zyrtarisht autoriteteve të Londrës të shpreheshin për verifikimin e tij dhe nëse do ta ekstradojnë apo jo në Shqipëri që të dëshmojë për pozicionin e tij në gjyqin që po zhvillohet ndaj katër të akuzuarve për ngjarjen e 13 vjetëve më parë. Madje, gjykata i ka kërkuar Prokurorisë të mos ndërmarrë asnjë veprim deri në mbërritjen e përgjigjes nga Britania.
Ndalimi
Kumbaro u ndalua në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në mbikëqyrje. Autoritetet policore britanike sqaruan për mediat atje se pas një hetimi disamujor u bë e mundur gjetja e vendndodhjes së tij. U raportua se i kërkuari kishte ndërruar disa herë vendqëndrimin në Londër që policia të mos binte në gjurmët e tij. Madje, policia britanike kishte kërkuar disa kohë më parë nga policia shqiptare foton e Ilir Kumbaros, për ta krahasuar me personin që kishte në vëzhgim. Në dijeni të këtij ndalimi duket se nuk ka qenë as prokurori i çështjes. Prokurori i çështjes së Remzi Hoxhës deklaroi në seancën e radhës, në sallën e gjyqit, se ai nuk kishte asnjë informacion zyrtar nëse Kumbaro ishte ndaluar në Londër. Xhevat Hana i shpjegoi kolegjit penal se i gjithë informacioni ishte vetëm nga media dhe për momentin akuza nuk kishte një qëndrim për një nga të pandehurit e kësaj dosjeje. Ky fakt e detyroi trupin gjykues që të shtynte procesin gjyqësor për dy javë me radhë, për t’i dhënë kështu mundësi akuzës të mbante një qëndrim për Kumbaron.
Identiteti
Ish-drejtori i njërës prej drejtorive të Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, po kërkohej nga Prokuroria dhe Interpoli shqiptar me një emër të rremë. Pas dështimit për arrestimin e tij, duke e kërkuar me emrin e vërtetë, agjentët e hetimit kishin marrë informacione se Ilir Kumbaro fshihet jashtë Shqipërisë me një identitet të rremë. Dyshimet e Prokurorisë dhe Interpolit janë se që prej vitit 1999 kur mendohet se ka ikur nga Shqipëria, Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli, por autoritetet e këtij vendi i kthyen përgjigje negative Prokurorisë dhe Interpolit shqiptar për arrestimin e tij. Me këtë emër, Interpol Tirana dhe Prokuroria shqiptare dhanë adresën e saktë të banimit të Kumbaros në Angli, por autoritetet britanike kthyen një përgjigjen: “U verifikua subjekti i kërkuar nga ana juaj, por nuk ndodhet”. Në këto kushte mësohet se urdhër-kërkimi ndërkombëtar për Ilir Kumbaron është rinovuar tashmë dhe të dhënave mbi identitetin e tij i është shtuar edhe një emër i dytë, i rremë, që dyshohet se përdoret nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia.
Hetimi
Ilir Kumbaro ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuar të tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ. Tashmë, për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, ndodhen në bankën e të akuzuarve te Krimet e Rënda: Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK-ut për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK-ut në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit, si dhe Budjon Meçe, ish-inspektor.
8 Nentor 2008