E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: “E djathta të bashkohet për zgjedhjet”



Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, u shpreh dje në Berat se të gjitha partitë e djathta duhet të bashkohen për të pasur me vete qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Bindja ime është që ne patjetër të bashkohemi brenda vetes tonë si e djathtë, pa hezitim, pavarësisht nga debatet, koniunkturat, pavarësisht nga individët e ndryshëm dhe qejfmbetjet, pavarësisht nga idetë e ndryshme për të gjetur atë që është më racionale”, - është shprehur kreu i PR-së, Mediu, gjatë mbledhjes së Asamblesë Rajonale të Partisë Republikane në Berat. Në takim u diskutua autoriteti dhe roli që ka Asambleja Rajonale në organizimin dhe drejtimin e fushatës elektorale 2009 për qarkun e Beratit. Sipas Mediut, organizimi i degëve të PR-së në funksion të zgjedhjeve të 2009-s duhet të fillojë që tani, duke u shtrirë deri në komunën më të thellë.

PDK: “Raporti i KE-së vlerëson reformat e Ndokës në Shëndetësi”

Partia Demokristiane ka shprehur dje vlerësimin e saj për objektivitetin e Raportit të Progresit të hartuar nga Komisioni Europian si dhe vlerësimet e reformave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës që qeverisej nga demokristianët. “Në Raport konkretisht thuhet se është bërë progres në fushën e politikave të shëndetit publik. Raporti vlerëson Strategjinë Kombëtare të Shërbimit Shëndetësor 2007-2013, si një dokument i rëndësishëm që përcakton prioritetet e reformave në këtë shërbim. Në Raport thuhet se me aprovimin e legjislacionit për transfuzionin e gjakut, Shqipëria ka përafruar kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Europian. Gjithashtu vlerësohen përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të implementuar ligjin antiduhan si dhe përpjekjet për hartimin e ligjit të kujdesit shëndetësor”, - është shprehur nënkryetarja e PDK-së, Aida Joanidhi. Më tej nënkryetarja e PDK-së kritikon ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila, sipas saj, duhet të kërkojë falje për akuzat e bëra ndaj ish-ministrit Ndoka. “PDK-ja gjykon se ministrja e Shëndetësisë, zonja Godo, pasi të ketë lexuar me vëmendje Raportin e Progresit të Komisionit Europian, duhet të kërkojë falje për shpifjet dhe akuzat e bëra në adresë të qeverisjes së Ministrisë së Shëndetësisë nga PDK-ja. Ne shprehim shqetësimin tonë se ministrja e re, me të ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, zgjodhi një kurs antireformë, në kundërshtim me Strategjinë Kombëtare të Kujdesit Shëndetësor, të miratuar, të vlerësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe tani së fundi edhe nga Raporti i Progresit i Komisionit Europian”, - është shprehur Joanidhi.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›