E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Nuk do ta lejojmë çiftin e babëzisë Rama-Berisha të grabisin votat

Kreu i LSI-së: “Rama dhe Berisha po provokojnë rëndë 18 vitet e demokracisë” Meta: “Beteja për mbrojtjen e zgjedhjeve jo vetëm e LSI-së, por e të gjithë shqiptarëve”

Shaban Sulçe

Ilir Meta premton mbrojtjen me çdo kusht të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kreu i LSI-së akuzoi kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së Edi Rama se janë kthyer në rrezik dhe kërcënim për votën e shqiptarëve, me anë të hartimit të një Kodi Zgjedhor, që tenton legjitimitetin e vjedhjes së votave nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Meta shprehu qëndrimin e palëkundur të LSI-së për të mbrojtur zgjedhjet nga komploti Rama-Berisha. “Ne do të sakrifikojmë çdo gjë që shqiptarët të mos humbasin lirinë e tyre. Ne do të arrijmë objektivin tonë, që nuk është thjesht garantimi i të drejtave të LSI, por që është mbrojtja e dinjitetit të çdo qytetari shqiptar, që është shpëtimi i vendit dhe të ardhmes së tij nga sundimi i një karteli të përbashkët dhe një kaste me dy koka, Rama-Berisha”, - tha Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Në këtë mbledhje u diskutuan dhe u vendosën disa masa organizative për mbështetjen e të gjitha veprimeve demokratike që do të bëhen në ditët në vijim, në mbrojtje të votës së lirë dhe kundër Kodit Zgjedhor jo të zgjedhjeve, por të vjedhjeve të votës. Të gjithë anëtarët e KDK-së miratuan vendimet e Kryesisë së LSI-së dhe lidershipit të saj, për ndërmarrjen e veprimeve radikale dhe demokratike deri në grevën e urisë së deputetëve për të garantuar të drejtën demokratike të numërimit të votave të shqiptarëve, për t’i shpëtuar ata nga vjedhja barbare që po përgatitet të bëhet nga dyshja Rama-Berisha.

Akuzat
Kryetari i LSI-së ka hedhur akuza të shumta në drejtim të kryeministrit dhe kreut të Partisë Socialiste. Sipas Metës, Rama dhe Berisha e kanë fokusuar bashkëpunimin e tyre për interesa të ngushta dhe korruptive dhe kanë lënë mënjanë një bashkëpunim gjithëpërfshirës që duhet të ishte fokusuar në gjetjen e rrugëve për përballimin e efekteve që mund të shkaktojë kriza globale në Shqipëri, në zgjidhjen e krizës energjetike, në luftën kundër korrupsionit dhe varfërisë. “Në vend që të bashkëpunojnë me të gjithë ne për të luftuar varfërinë, në vend që të heqin dorë nga korrupsioni i tyre, Berisha në Qeveri dhe Rama në Bashki, sepse dhe në raportin e fundit të Komisionit Europian kritikohen për zvarritje dhe mosdhënien e lejeve të ndërtimit, që kanë goditur një nga industritë kryesore të zhvillimit gjatë këtyre dy dekatave në vend, kanë shqetësim si të vjedhin votën e të gjithë shqiptarëve në vitin 2009”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se beteja për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk është sfida personale e LSI-së, por e të gjithë shqiptarëve. “Kjo nuk është një betejë për LSI-në, kjo është një betejë për çdo shqiptar. Sepse ata përmes eliminimit të kësaj force të madhe dhe në rritje, siç është LSI, nuk kanë thjesht problemin për të dëmtuar dhe eliminuar LSI-në, por kanë si preokupim të tyre për të vrarë ndjenjën e reagimit qytetar ndaj korrupsionit të tyre, ndaj arbitraritetit të tyre, ndaj babëzisë së tyre. Duan që t’i krijojnë idenë çdo shqiptari se nuk ka çfarë të bëjë, se nuk mund të kundërshtojë pushtetin e këtyre të dyve, se e keqja është bërë shumë e madhe, sepse është në unison. Këta kërkojnë, në radhë të parë, të skllavërojnë njerëzit e partive të tyre”, - deklaroi Meta.

Denoncimi
Kryetari i LSI-së denoncoi gjithashtu edhe marrëveshjen Rama-Berisha për të kaluar ligjin për prokurorinë, një ligj ky që synon dobësimin e Drejtësisë. “Është një prioritet i përbashkët i Berishës dhe i Ramës, ligji për prokurorinë, në mënyrë që prokuroria të jetë e shtangur dhe të mos veprojë për të hetuar as Gërdecin, as edhe afera të tjera shumë të mëdha të qeveritarëve të Sali Berishës, por as probleme të Bashkisë së Tiranës. Sepse kanë urrejtje ndaj çdo pushteti të pavarur, sepse duan të uzurpojnë çdo pushtet, çdo hapësirë dhe çdo qelizë demokratike në shoqërinë tonë”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së tha se Rama dhe Berisha po bëjnë provokimin më të madh në këto 18 vite në historinë e Shqipërisë. “Duan ta shpallin demokracinë nul dhe të sillen me popullin shqiptar në mënyrën më arrogante dhe më përbuzëse, sepse sipas tyre ky popull nuk ka çfarë bën, sepse sipas tyre ky popull kaq meriton, sepse sipas tyre mund t’ia hedhim këtij populli sa herë të duam. Ndaj këta dy pehlivanë duhet të kuptojnë se në rast se nuk heqin dorë në ditët e ardhshme nga ky skenar ogurzi për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, për shkatërrimin e së ardhmes europiane të Shqipërisë, padyshim që jo vetëm do të dështojnë, por do të mbajnë një përgjegjësi historike dhe askush nuk do t’ua falë këtë kosto që po i provokojnë vendit tonë në këto momente kaq të rëndësishme dhe kaq delikate, në këto momente kur Shqipëria ka nevojë për hapësira të mëdha lirie dhe demokracie”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›