Braçe: “Buxheti i 2009-s i ngjan një skeme piramidale”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar qeverinë Berisha se projektbuxheti i përgatirur prej saj për vitin 2009 i përngjan një skeme piramidale. Braçe tha se projektbuxheti nuk merr parasysh asnjë efekt që mund të shkaktojë në Shqipëri kriza financiare botërore.
Deputeti socialist tha se Partia Socialiste bashkohet me shqetësimet e shprehura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Nisur nga sa më sipër, ne mbështetim shqetësimin edhe të FMN-së, të shprehur së fundmi mbi vendimet e kryeministrit Sali Berisha për ndryshimet e reja fiskale, mbi normën e sigurimeve shoqërore, duke i parë ato si matësa të rrezikshëm për të gjithë, për skemën e pensioneve, apo si të padobishme për shkak të vendimeve joligjore mbi sistemin e referencave që është shtrirë përtej doganave. E shohim asistencën e FMN-së si profesionale dhe i kërkojmë qeverisë që sa më parë në këto ditë të vështira për gjithë botën të rinovojë mandatin me FMN-në, sepse duhet të mbetet këtu si garanci për buxhetin e 2009-s, një vit elektoral dhe mbi të gjitha një vit me rënie ekonomike në të gjithë botën. Ne kërkojmë garanci për zbatimin e këtij buxheti, që respekton çoroditjen totale, aq sa i ngjan një skeme piramidale”, - tha Braçe.
8 Nentor 2008